Kryeministri Albin Kurti njoftoi se qeveria e tij do të ndihmojë me nga 100 euro studentët në fillim të vitit të ri akademik.
Njoftimin, Kurti e bëri me dije në mbledhjen e kabinetit ekzekutiv, ku tha se studentët dhe familjet e tyre do ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që ndërlidhen me fillimin e vitit të ri akademik.
“Përderisa formimi i institucioneve të reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende mbahet pezull ekonomia e vendit vazhdon të rritet duke shënuar një rritje prej 4.58% të bruto produktit vendor në tremujorin e dytë të këtij viti. E bashkë me ekonominë rriten e dhe të hyrat buxhetore të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje prej 10% krahasuar me vitin paraprak. Si qeveri që ka për bazë interesin e qytetarëve tashmë kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me të gjithë qytetarët sepse kur rritja ndahet ajo shumohet kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri rritet kërkesa agregate në ekonomi e kësisoj vazhdon vit pas viti performanca e mirë ekonomike. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike me rastin e fillimit të vitit akademik sot do të miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro shumë e menjëhershme për të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret. Ashtu që ata dhe familjet e tyre ta kenë më të lehtë përballimin e kostove që ndërlidhen me fillimin e vitit të ri akademik. Për mbështetje për studentë nuk mbaron me kaq”, tha Kurti.
Ndërkohë nuk ka munguar reagimi i opozitës në Kosovë, ku deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka shkruar se në kohë fushate, kujtohen për studentët.”
“Në kohë fushate, kujtohen për studentët. I kuptoj studentët, shumë prej tyre kanë nevojë për ato 100 euro. Por ajo që dhemb, është arsyeja pse po jepen tani, në prag të zgjedhjeve. Sa poshtëruese”, ka deklaruar Deliu.
Kujtojmë se më 12 tetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale.