Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, dorëzoi sot dorëheqjen e qeverisë së tij, pas disa javësh protestash të vazhdueshme në rrugë kundër politikave ekonomike dhe dështimit të perceptuar për të luftuar korrupsionin.
Zhelyazkov njoftoi dorëheqjen në një deklaratë televizive, vetëm pak minuta para se parlamenti të votonte mocionin e mosbesimit ndaj kabinetit të tij.
“Koalicioni ynë u mblodh, diskutuam situatën aktuale, sfidat që kemi përpara dhe vendimet që duhet t’i marrim me përgjegjësi,” tha ai. “Dëshira jonë është të jemi në nivelin që shoqëria pret. Pushteti buron nga zëri i popullit.”
Të mërkurën në mbrëmje, mijëra qytetarë protestuan në Sofje dhe dhjetëra qytete të tjera të vendit, në vijim të demonstratave që prej javësh theksojnë pakënaqësinë e thellë publike ndaj korrupsionit endemik dhe paaftësisë së qeverive të njëpasnjëshme për ta luftuar atë.
Javën e kaluar, qeveria e Zhelyazkov u tërhoq nga plani i buxhetit për vitin 2026, i pari i hartuar në euro, pas presionit të protestave. Partitë opozitare dhe organizata të ndryshme kundërshtuan rritjen e parashikuar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksës mbi dividentët, të cilat ishin planifikuar për të mbuluar rritjen e shpenzimeve shtetërore.
Megjithë tërheqjen e qeverisë nga projektbuxheti, protestat kanë vazhduar pa ndërprerje, në një vend që ka zhvilluar shtatë zgjedhje të përgjithshme në katër vitet e fundit.
Presidenti Rumen Radev kishte kërkuar gjithashtu qeverisë të japë dorëheqjen. Në një mesazh në Facebook, ai u shpreh: “Mes zërit të popullit dhe frikës nga mafia. Dëgjoni sheshet!”
Sipas kushtetutës bullgare, Radev ka kompetenca të kufizuara, por tani do t’u kërkojë partive në parlament të përpiqen të formojnë një qeveri të re. Nëse ato nuk arrijnë të krijojnë shumicë, presidenti do të emërojë një administratë të përkohshme, e cila do të drejtojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.