Qeveria në Angli po planifikon një ligj të ri që do të ndalojë shitjen e pijeve energjike si Red Bull, Monster dhe Prime për fëmijët nën moshën 16 vjeç, në dyqane, restorante, kafene, makinat shitëse dhe në internet.
Rreth një e treta e fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar mendohet se konsumojnë këto pije çdo javë, pavarësisht se shumica e supermarketeve kanë vendosur tashmë një ndalim vullnetar.
Shumë nga këto pije përmbajnë më shumë kafeinë se dy filxhanë kafe. Konsumi i tepruar i tyre lidhet me dhimbje koke dhe probleme me gjumin.
Sekretari për Shëndetësinë dhe Kujdesin Social, Wes Streeting, tha për programin Today të BBC Radio 4 se qeveria është “thirrur të veprojë” nga prindër, mësues dhe vetë fëmijët.
“Pasojat në shëndet, përqendrim dhe procesin e të nxënit janë të dukshme, dhe prandaj po veprojmë,” u shpreh ai edhe për BBC Breakfast.
Kafeina në sasi të lartë mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës, ritme të parregullta kardiake dhe madje kriza. Edhe pse rrallë, disa raste vdekjesh janë lidhur me konsum të tepruar të kafeinës.
Versionet e ëmbëlsuara të këtyre pijeve dëmtojnë dhëmbët dhe kontribuojnë në obezitet, sipas Shoqatës së Dietologëve të Mbretërisë së Bashkuar.
Qeveria do të zhvillojë një konsultim 12-javor për të mbledhur prova dhe mendime nga ekspertët e shëndetit dhe arsimit, publiku i gjerë, shitësit dhe prodhuesit që tashmë kanë vendosur ndalime të tilla.
Edhe pse nuk është caktuar ende një datë zyrtare për ndalimin, Streeting tha se ai do të hyjë në fuqi “shumë më shpejt” sesa përfundimi i këtij mandati parlamentar – afati që Partia Laburiste kishte premtuar më parë.
Carrera, 18 vjeçe, pjesë e grupit aktivist rinor “Bite Back”, tha për programin Today se prodhuesit janë “të zgjuar” në mënyrën se si bashkëpunojnë me influencerë, përdorin ambalazh tërheqës dhe krijojnë shije që synojnë të rinjtë.
“Nuk është për t’u habitur që pijet energjike janë bërë si një ‘monedhë sociale’ nëpër shkolla,” shtoi ajo.
Duke reaguar në program, Streeting theksoi se qeveria duhet të “ecë me kohën” dhe të përballet edhe me reklamimin përmes rrjeteve sociale.
Pijet me përmbajtje më të ulët kafeine, si Diet Coke, nuk përfshihen në këtë ndalim, ashtu si çaji dhe kafeja.
Kuzhinieri i njohur televiziv Jamie Oliver ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet që paraqesin pijet energjike, duke thënë se fëmijët vijnë në shkollë “të tejmbushur me energji” pasi i konsumojnë që në mëngjes.
“Po flasim për tre-katër doza espresso në një pije. Plot sheqer. Një katastrofë e vërtetë,” tha ai në një video të postuar në platformën X vitin e kaluar.
Sipas rregullave aktuale të etiketimit, çdo pije – përveç çajit dhe kafesë – që përmban mbi 150 mg kafeinë për litër, duhet të mbajë një paralajmërim: “Përmbajtje e lartë kafeine. Nuk rekomandohet për fëmijë, gra shtatzëna ose gjidhënëse.”
Ekspertët thonë se fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj kafeinës për shkak të trupave dhe trurit ende në zhvillim. Për të rriturit, deri në 400 mg kafeinë në ditë (afërsisht katër filxhanë kafe të tretshme ose pesë filxhanë çaj) konsiderohet e sigurt.
Qeveria e mëparshme konservatore kishte planifikuar një ndalim të tillë, por u tërhoq në vitin 2022 duke argumentuar se konsumi duhet të mbetet një zgjedhje personale.
Streeting deklaroi për BBC Breakfast se konservatorët “e vlerësuan gabim” dhe se ndërsa përgjegjësia personale vlen për të rriturit, për fëmijët kërkohet një qasje ndryshe.
Ai tregoi se nga zyra e tij shikon fëmijë që dalin nga shkolla, ndalojnë në dyqane dhe blejnë këto pije pa asnjë kontroll.
Profesori Steve Turner, president i Kolegjit Mbretëror të Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve, tha se ndalimi është “hapi logjik i radhës” për përmirësimin e dietës së fëmijëve.
Ndërsa profesorja Amelia Lake nga Universiteti i Teesside, e cila ka studiuar ndikimin e këtyre pijeve te të rinjtë, tha se ato “nuk kanë vend” në dietën e fëmijëve.
“Kërkimet tona kanë treguar pasoja serioze për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve që konsumojnë pije energjike,” u shpreh ajo. “E dimë që këto pije janë bërë pjesë e kulturës rinore dhe lidhen me sportin, lojërat kompjuterike, muzikën dhe më shumë, por mungon një sinjalizim i qartë për rreziqet që sjellin për shëndetin.”
Ndërkohë, Gavin Partington nga Shoqata Britanike e Pijeve të Gazuara tha se prodhuesit tashmë kanë ndërmarrë hapa për vetërregullim.
“Si me çdo politikë qeveritare, është thelbësore që çdo rregullore e ardhshme të bazohet në një vlerësim të rreptë të provave që kemi në dispozicion,” tha ai.
Ndalesa të ngjashme po merren në konsideratë edhe në Irlandën e Veriut, Skoci dhe Uells.