Punimet në autostradën Tiranë-Durrës, devijohet trafiku më 14 dhe 15 gusht

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës, më datat 14 dhe 15 gusht, duke nisur prej orës 23:00 deri në 05:00.

ARRSH njofton bllokimin e rrugës pasi do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri në Kashar, në kuadër të projektit të zgjerimit.

Gjatë këtij intervali do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës.

NJOFTIMI I PLOTE:

Në vijim të realizimit të punimeve për ndërtimin e objektit:“Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, është i nevojshëm zbatimi i Planit të Menaxhimit të Trafikut.

Më datë 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të kryhet montimi i trarëve metalik të mbikalimit të ri të Kasharit, për zbatimin e këtyre punimeve, si dhe për sigurinë rrugore është i nevojshëm bllokimi i dy korsive të aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës.

Gjatë këtij intervali, trafiku i mjeteve që lëviz drejt qytetit të Durrësit, do të devijohet në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime lëvizjeje.

Mjetet me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesë.

Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për këtë ndërhyrje.