Publikuan video me bluzën e ‘Shqipërisë Etnike’, arrestohen 4 shqiptarë në Serbi

Katër shtetas shqiptarë janë arrestuar në Serbi, pasi sipas autoriteteve serbe ata “kanë nxitur urrejtje kombëtare” përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale A. S. 37 vjeç, E. V. 42 vjeç, E. G. 48 vjeç dhe A. C. 18 vjeç, ndërsa akuzohen për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.

Sipas Policisë serbe, A. S. ka publikuar në Facebook një video ku shfaqet duke udhëtuar me një automjet tip “Audi”, së bashku me tre të tjerët, në një autostradë në Serbi.

“Në pamje, ata shfaqin simbole të ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe përdorin fjalor fyes ndaj Serbisë,” pretendojnë autoritetet serbe. Ngjarja ka ndodhur në ditën e përkujtimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, çka, sipas autoriteteve, e rëndon edhe më tej situatën.

Të arrestuarit janë në arrest për 48 orë dhe pritet të dalin para Prokurorisë së Lartë në Beograd, në departamentin për krimet e teknologjisë së lartë. 

Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre, në të kundërt paralajmëroi protestë para ambasadës serbe në Tiranë.

“Sikundër, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë me forcë këtë akt që tejkalon të gjitha limitet, që mund të ndodhë dhe njëherë vetëm në diktaturat më të zeza. Dënoj gjithashtu, heshtjen e argatit të Vuçiç-it në Tiranë, kreut të organizatës kriminale, Edi Ramës, ndaj aktit të padronit të tij. Katër tifozët nuk kanë kryer asnjë akt përveçse kanë postuar në rrjetin e tyre social status me flamur dhe kanë thënë mendimet e tyre për Serbinë, të cilat sipas Vuçiçit qenkan të ndaluara në territorin e Serbisë të thuash një fjalë të keqe për Serbinë.

Kjo është unike në botë. Ky është turp! Ndaj dhe, kërkoj lirimin urgjent, përndryshe opozita do marrë hapat e veta të protestave të fuqishme para përfaqësisë së Beogradit në TIranë. Ata duhet të lirohen, menjëherë!”, tha Berisha.