Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri ka folur në Kuvend teksa nuk iu pranua kërkesa për interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, për Rrjollin dhe Zvërnecin.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi pretendoi se kjo është çështje ka qenë pjesë e rendit të ditës në seancat e kaluara dhe nuk mund të bëhet sërish.
Kapri foli me tone të forta të Kuvend duke thënë se nuk mund të ndalohet një deputet të flasë për çështje që është votuar duke akuzuar PS se po shkelë Kushtetutën.
Kapri akuzoi gjithashtu Policinë për rrethimin e Kuvendit me efektivë pasi mazhoranca trembet nga vezët e qytetarëve.
“Kthehem në sallë pas 20 ditësh përjashtim, që nuk e kërkoj pse u përjashtova. Më e rënda është që Kuvendi, me dhunën e kartonëve të kuq, ka përjashtuar edhe Shehajn për 30 ditë të tjera. Në total, kreu i një partie politike ka munguar 3 muaj, pra 1/3 e kohës. Nëse mendoni se ky është parlamentarizëm, është patetizëm.
Sot qytetarët janë në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit. Mendoni se jeni pronarë të Shqipërisë dhe e keni kthyer vendin në këtë derexhe.
Sapo u informova për letrat ku kërkesat tona për interpelanca janë anuluar. Si mund të ndaloni deputetët të flasin dhe të shkelni Kushtetutën në këtë pikë? Ky nuk është as parlament dhe as parlamentarizëm.
Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne ministrin e Brendshëm. Si mund të ndaloni një deputet ë flasë për çështje që është votuar. Nuk është parlament ky. S’mund të pyesim ne ministrin e Brendshëm, pse, se e paskemi pyetur në seancë të kaluar. Ajo që donim të ngrinim në këtë interpelancë me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat.
Është rrethuar parlamenti me blinda. Pse, se u trembët nga vezët ju. Si mundet që deputetët të mos pyesin ministrin e Brendshëm për këtë gjë. Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodygardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licencat. Ka raportime serioze se këto kompani thjeshtë kanë ndërruar emrin. Kur kërkonim të flisnim në parlament për Rrjollit, kërkonit të na censuronit.
Nuk e patë ju dhunën e policisë private në Rrjoll? Kryeministri ka lëshuar gojën që i quan rininë shqiptare si nazistë, është policia që po sillet si gestapo. Balla janë mbushur koshat e plehrave me portretin tënd”, tha Kapri.