SHBA ndërmerr sulme të gjera ajrore në Iran, Teherani kundërpërgjigjet

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore ndaj Iranit, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake në disa zona të vendit, përfshirë provincën jugore të Khuzestanit.

Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), operacioni kishte si qëllim dobësimin e aftësive ushtarake iraniane për të sulmuar anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Autoritetet iraniane raportuan se objektivat e goditura ndodheshin pranë qytetit Ahvaz, si edhe në qarkun Andimeshk.

Një predhë goditi gjithashtu një stacion pompimi uji në qarkun Mahshahr, ku humbi jetën një roje sigurie dhe katër persona të tjerë mbetën të plagosur. Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetet Khorramshahr dhe Hoveyzeh. Një zyrtar amerikan konfirmoi se sulmet zgjatën më shumë se tre orë, ndërsa më vonë CENTCOM njoftoi se operacioni kishte përfunduar me goditjen e dhjetëra objektivave në disa lokacione.

Mes objektivave ishin sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët bregdetarë, kapacitetet raketore dhe ato të dronëve, si edhe mjete të vogla detare. Për herë të parë në këtë operacion, SHBA përdori edhe dronë detarë sulmues. Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet prekën disa provinca në jug dhe qendër të vendit, duke shkaktuar të paktën një viktimë dhe disa të plagosur.

Operacioni vjen vetëm një ditë pasi SHBA deklaroi se kishte goditur rreth 140 objekte ushtarake iraniane gjatë një sulmi të madh ajror.

Në një reagim të menjëhershëm, Garda Revolucionare Islamike e Iranit njoftoi se ka nisur një valë sulmesh ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon, duke rritur ndjeshëm tensionet dhe frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.