Partia Socialiste do të mbledhë sot Grupin Parlamentar, ku do të mbajë edhe qëndrimin përfundimtar të saj në lidhje me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres së pezulluar, Belinda Ballukut.
Mbledhja do të zhvillohet në orë 11:00 në Pallatin e Brigadave, teksa i pari fjalën do ta marrë kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij pritet të jepet edhe qëndrimi i PS-së në lidhje me këtë çështje, ndërsa më pas secili ministër do të raportojë për jo më shumë se 2 minuta.
Nuk dihet nëse në mbledhje do ta marrë fjalën edhe vetë Belinda Balluku, e cila prej se është marrë e pandehur, ka vendosur të heshtë dhe të mos përballet me akuzat, madje as për t’i mohuar.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.
Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ministren.