Përfundimi i provimeve të maturës shtetërore zbulon se cilat janë shkollat e mesme më të mira në vend.
Referuar rezultateve të të gjitha provimeve, listohen edhe gjimnazet me rezultatet me të mira.
Në 40 vendet e para dominojnë shkollat private dhe ka vetëm 5 shkolla publike që renditen më të mirat sipas rezultateve të maturantëve. Një prej tyre është në Durrës dhe katër të tjerët në Tiranë.
Gjimnazi më i mirë ka dalë Ernest Koliqi duke u renditur kështu për të disatin vit radhazi. Në vendin e dytë Preka në Korçë, dhe më pas Frymë Dashurie në Gjirokastër. Të dy këto gjimnaze menaxhohen nga Kishat Katolike dhe Ortodokse.
Ndërsa për sa i përket shkollave publike më i miri ka dalë Ismail Qemali në Tiranë, duke ia marrë vendin kështu Qemal Stafës dhe Sami Frashërit, që kanë dalë më të mirët vitet e kaluara.
Ajo që vihet re në bazë të performancës së maturantëve është se shkollat private dominojnë në listën e gjimnazeve më të mira.
Shkollat private të të gjitha niveleve kanë lulëzuar në vitet e të fundit në Shqipëri. Ankesa për një sistem publik jo të favorshëm, me mbikapacitete dhe mungesë të kushteve, detyron shpesh prindërit të dërgojnë fëmijët në shkolla private. Me sa duket renditja e tyre në listën e më të mirëve ngre edhe njëherë shqetësim lidhur me shërbimin që ofrohet në institucionet shtetërore.