Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e organizuar pasditen e kësaj të hëne nga opozita përballë Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza në drejtim të kryeministrit, Edi Rama dhe numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, të cilët, sipas tij kanë plaçkitur vendin.
Nga foltorja para Kryeministrisë, të cilën e kishte paralajmëruar më herët, kryedemokrati tha se kryeministri Edi Rama ka përzënë më shumë shqiptarë sesa çdo pushtues.
“Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës, miqtë e mi, liria është si një lumë, të cilin në asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare; para pallatit, një krim monstruoz ndaj shqiptarëve, i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Belindën, lubinë, që me vjedhjet, plaçkitjen e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.”, tha Berisha.