Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e të protestuesve të opozitës, të cilët ishin ndaluar pas incidenteve që u krijuan në tubimin e së premtes.
Gjykata liroi 18 protestues, mes tyre edhe tre të mitur, duke caktuar ndaj tyre masën “detyrim paraqitje”.
Më 20 shkurt, për rreth katër orë opozita protestoi para kryeministrisë dhe Kuvendit. Nuk munguan tensionet mes protestueve të cilët hodhën molotovë në drejtim të efektivëve të policisë ndërsa këta të fundit iu kundërpërgjigjën me gaz dhe ujë.
Ndërkohë protesta e radhës e PD do të jetë më 28 shkurt. Sipas Sali Berishës, kjo do të jetë një nga kryengritjet paqësorë më të fuqishme që ka njohur vendi, duke deklaruar se “Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë”.
“Ndërkohë e dini, e shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve.
Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi.
Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj.
Për të gjitha do informoheni në përputhje me vendimet që do merren. Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët”, tha Berisha.