Një numër i lartë protestuesish janë shqëruar nga policia pas incidenteve që u krijuan një ditë më parë.
Burime për mediat bëjnë me dije se 17 protestues janë arrestuar, ndërsa 35 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Protesta para Kryeministrisë nisi në mënyrë paqësore, por pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, disa protestues hodhën koktej molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Më pas ata u zhvendosën para Kuvendit, ku pati sërish incidente. Si pasojë pati edhe disa të lënduar që u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës.
Kujtojmë se Policia nuk mori përsipër zhvillimin e protestës, pas informacioneve se do të kishte akte dhune.