Rreth 1.500 efektivë policie do të angazhohen në terren për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë.
Sipas informacioneve paraprake, prani të shtuar të forcave të rendit do të ketë pranë institucioneve kryesore, përfshirë Kryeministrinë, Parlamentin dhe ministritë.
Policia ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e protestës dhe menaxhimin e situatës në çdo skenar të mundshëm, duke qenë se tubimi është paralajmëruar në formën e një marshimi.
Përpara Kryeministrisë mungon podiumi, duke lënë të kuptohet se kësaj radhe nuk do të ketë fjalime, por marshim dhe revoltë qytetare, siç edhe ka ndodhur më parë.
Raportohet se demokratët do të braktisin fjalimet në tubimin e sotëm, pasi në protestën e fundit i rikthyen ato.
Ndërkohë nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.
Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.