Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kreydemokratit Sali Berisha, pasi ky i fundit ka thirrur një protestë kombëtare më datë 15 Mars pas vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok.
Rama thotë se thirrja e Berishës që fëmijët të dalin në shesh për të protestuar duhet të marrë seriozisht si një simptomë lajthitjeje e rrezikshme.
Teksa kjo platformë sociale do të mbyllet për 12 muaj, Rama la të nënkuptohet se ndoshta nuk do të jetë aq, por do të zgjasë aq kohë sa kompania të japë një plan për sigurinë e fëmijëve.
“Bufi kënetës u bën thirrje fëmijëve të protestojnë për mbylljen e Tiktok dhe prindërve u kërkon të bashkohen me fëmijët dhe të dalin në shesh për tiktakun. Kjo është këneta opozitare dhe filozofia e saj. Kjo do të jetë derisa të jetë bufi që vigjilon nga ballkoni mbi të gjithë gjendjen poshtë në kënete duke i kthyer përfaqësuesit e popullit opozitar në zvarranikë që kafshojnë e pickojnë. 95% e prindërve dhe mësuesve na thanë mbyllni Tiktokun.
Ne presim të shohim planin e premtuar për sigurinë e shtuar për fëmijët tanë. Arsyeja pse vendimi u mor vetëm me javën e shkuar ka të bëjë thjesht me kapacitetet teknike për të realizuar mbylljen e platformës që kanë kërkuar kohën e tyre. Nuk ka të bëjë gjëkundi me lirinë e fjalës dhe zgjedhjet. Uroj të jetë e përkohshme, do zgjasë aq kohë sa kompania të na japë një plan për sigurinë e fëmijëve. Apeli i bufit të kënetës duhet marrë tejet seriozisht si një simptomë lajthitje e rrezikshme”-u shpreh Rama.