Propozimet e PS për ndryshimet në Kodin Rrugor: Masa më të ashpra për të rinjtë dhe tolerancë zero ndaj alkoolit

Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend disa amendamente për ndryshime në Kodin Rrugor, të firmosura nga deputetët Ulsi Manja dhe Erion Braçe.

Ndryshimet e propozuara prekin drejtuesit pa patentë, shoferët e rinj, kufijtë e shpejtësisë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, si edhe drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.

Sipas amendamenteve, çdo person që kapet duke drejtuar automjetin pa patentë nuk do të mund të pajiset me leje drejtimi për një periudhë 1-vjeçare, përveç përgjegjësive që parashikon legjislacioni penal në fuqi.

Për të miturit që kapen në timon pa e marrë kurrë patentën, masat parashikohen edhe më të forta. Ata nuk do të mund ta marrin patentën sapo të mbushin 18 vjeç, por vetëm pasi të kenë mbushur moshën 20-vjeçare.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me shoferët e rinj. Gjatë vitit të parë pas pajisjes me patentë, drejtuesit e rinj do të kenë tolerancë zero ndaj alkoolit gjatë drejtimit të automjetit.

Po ashtu, amendamentet propozojnë kufizime të lëvizjes për shoferët me deri në dy vite eksperiencë. Ata nuk do të lejohen të drejtojnë automjetin nga ora 24:00 deri në 06:00 pa praninë e një personi të rritur, i cili duhet të ketë patentë prej të paktën tre vitesh.

Në rast se drejtuesi i ri nuk kryen asnjë shkelje brenda një viti, kufizimet hiqen automatikisht. Por nëse kryhen dy shkelje gjatë periudhës së provës, faza e testimit do të zgjatet edhe me një vit tjetër.

Paketa e ndryshimeve parashikon edhe ulje të kufirit të shpejtësisë. Në autostrada, shpejtësia maksimale propozohet të jetë 90 km/h, ndërsa në rrugët jashtë qendrave të banuara 80 km/h.

Për shkelësit parashikohen gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim patente për një muaj dhe heqje pikësh, sipas akteve nënligjore në fuqi.

Një tjetër risi në amendamente është ndalimi i përdorimit të celularit gjatë drejtimit të biçikletave dhe motorëve elektrikë.

Ndërkohë, për drejtuesit që kapen duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 gram/litër në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, propozohet heqja përfundimtare e patentës.