Propagandë për sulme terroriste në Facebook, GJKKO dënon 57 vjeçarin nga Kukësi

GJKKO ka dhënë vendimin për 57 vjeçarin nga Kukësi, Ibrahim El Salih(Lekica), i akuzuar për propagandë të organizatës terroriste ISIS.

Ai është deklaruar fajtor për veprën nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste dhe është dënuar përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burgim. Ibrahim El Salih, u arrestua më 24 maj 2022 nga Drejtoria e Antiterrorit në Poicinë e Shtetit.

I lindur në fshatin Shtiqën dhe banues në Kukës, El Salih njihet si besimtar praktikant i fesë islame dhe ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit. Baba i dy fëmijëve të rritur, ai raportohet gjithashtu si aktivist politik dhe mbështetës i opozitës, por nuk është shquar më parë për prirje ekstremiste ose radikale fetare.

Ai përdorte rrjetin social Facebook për të shpërndarë thirrje/propagandë që të shtynte personat lexues/ndjekësit e tij për të përkrahur luftën e shenjtë ‘xhihadin’.

“El Salih është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë, me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit shteti islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre, duke u solidarizuar me fitoren e luftëtarëve të shtetit islam të Irakut, ka mbështetur personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore, ka përkrahur mobilizimin e fëmijëve në akte të dhunshme, si dhe ka synuar nxitjen dhe ka bërë thirrje publike për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, shkruante SPAK në akuzën ndaj 57 vjeçarit.