“Prokuroria u shndërrua në familje”, Gaz Bardhi akuza KLP-së: Shqetësohet vetëm se drejtuesi i saj do t’i nënshtrohet Vettingut

Emërimi i 4 familjarëve të deputetes socialiste Ermonela Felaj në Prokurorinë e Tiranës ka qenënjë nga çështjet më të diskutuar ditët e fundit, teksa është ngritur si problem edhe në seancën plenare të Kuvendit.

Sekretari i Përgjoithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në Kuvend akuzoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë se ka shdërruar një Prokurori të tërë në familje brenda një viti. Sipas tij, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut.

“Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar e arrestuar një politikan të lart me pasuri e para të gjetura tashmë prej kohësh jashtë vendit, po pret sinjale se kur arrestimi i tij do i shërbejë Kryeministrit për të mbuluar ndonjë skandal qeveritar.

Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë i lejon vetes të shndërrojë në familje një prokurori të tërë dhe brenda një viti të emërojë aty jo dy, por plot 4 persona brenda një familje. Asnjë reagim për këtë, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, institucionet e reja të drejtësisë jnë mbushur me shokë e miq të kryeministrit dhe qeverisë, teksa nuk ka munguar as sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo e fundit rrëzoi dy kërkesat e bëra nga opozita, për Portin e Durrësit dhe ndërtimet pa leje.

“Ne vazhdojmë për të fat të keq të kemi një drejtësi ku Gjykata Kushtetutese, pasi merr në punë në të njëjtin pozicion drejtoren e kabintetit të Elisës, ka një standart për bordin e ushqimeve dhe një standart për bordin e karburanteve, edhe pse janë identike, me dallimin e vetëm që për të dytin Kryeministri ka interes të drejtpërdrejtë.

Sa kohë ju në këtë sallë i mbushët institucionet e reja të drejtësisë me miqtë e shokë tuaj, dhe ato vazhdojnë edhe në detyrë të sillen si miqtë dhe shokët tuaj, qytetarët do presin kot drejtësi. Ajo do jetë drejtësia juaj, por jo drejtësia që prisnin qytetarët. Ajo do jetë drejtësia e Kryeministrit, por jo drejtësia e qytetarit të zakonshëm. Ne do vazhdojmë me rekomandime, ato do vazhdojnë me qoka e ndere”, tha Bardhi ndër të tjera.