Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, i ka kërkuar të hënën një gjykatësi federal ta hedhë poshtë aktakuzën kundër presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cila ngarkonte atë për komplot për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Smith citoi politikën e kamotshme të Departamentit amerikan të Drejtësisë e cila i mbron presidentët në detyrë nga ndjekja penale, në kërkesën e tij për ta hedhur poshtë rastin kundër Trumpit.
Ky vendim shënon edhe fundin e përpjekjeve historike të Departamentit të Drejtësisë për ta mbajtur Trumpin përgjegjës për atë që prokurorët e quanin si konspiracion kriminal për të ardhur në pushtet para sulmit të mbështetësve të tij në ndërtesën e Kongresit amerikan, më 6 janar 2021.
Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë, duke cituar udhëzimin e kamotshëm të departamentit që një president në detyrë nuk mund të ndiqet penalisht, thanë se qëndrimi i departamentit është se “Kushtetuta kërkon që ky rast të hidhet poshtë para se i pandehuri të inaugurohet”.
Ky vendim pritej, pasi ekipi i Smithit filloi shqyrtimin e dhënies fund të dy rasteve – ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020 dhe rastit tjetër për dokumentet e klasifikuara – pasi Trumpi e mposhti nënpresidenten Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Departamenti i Drejtësisë beson se Trumpi nuk mund të gjykohet më, pasi politika e departamentit thotë se presidentët në detyrë nuk mund të ndiqen penalisht.
Trumpi i ka cilësuar të dyja rastet kundër tij si të motivuara politikisht dhe është zotuar se do ta shkarkojë Smithin sapo ta marrë detyrën në janar.
Aktakuza në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, e ngritur vitin e kaluar, dikur shihej si një nga kërcënimet më serioze ligjore me të cilat përballej Trumpi në rrugën e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Por, ky rast kundër tij ngeci shpejt mes betejave ligjore pas pretendimeve të mëdha të Trump se ai gëzonte imunitet nga ndjekja penale për veprime që i ndërmori gjatë kohës sa ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Gjykata e Supreme e SHBA-së, në korrik, vendosi për herë të parë se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale dhe e ktheu rastin te gjykatësja e Distriktit Amerikan, Tanya Chutkan, për të përcaktuar se cilat akuza në aktakuzë mund të vazhdonin për gjykim.
Rasti sapo kishte filluar të merrte vrull në gjykatën e shkallës së parë në javët para zgjedhjeve të këtij viti.
Ekipi i Smithit, në tetor, paraqiti një dokument të gjatë duke shpalosur prova të reja që synonte t’i përdorte kundër Trumpit në gjyq, duke e akuzuar atë se “e përdori krimin” në një përpjekje gjithnjë e më të dëshpëruar për të përmbysur vullnetin e votuesve, pasi humbi kundër presidentit Joe Biden.
SHËNIM*: Shkrimi origjinal nga REL, titulli i redaktuar nga Ditari.al