Profili anonim në Facebook shpërndan dezinformim kundër partisë “Mundësia”

Një profil anonim, i krijuar në vitin 2017 dhe i riemërtuar “Taqo Loco”, po paguan prej një jave sulme të shpërndara në rrjetet sociale kundër drejtuesit të partisë “Mundësia’, Agron Shehaj.

Të martën, dy postime, një video dhe një kolazh fotosh kundër Shehajt kishin marrë mbi 100 komente dhe qindra pëlqime.

Materiali video i shpërndarë si “Reels” në Facebook më 26 mars dhe për të cilin po reklamohet shpërndarja prej 31 marsit, kishte rreth 180 mijë shikime.

Në video, deputeti Shehaj, i cili u nda nga Partia Demokratike për të krijuar lëvizjen e re “Mundësia”, sulmohet me informacione të paverifikuara dhe paraqitet si i ngjashëm me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Materiali i dytë është një kolazh me foto të Shehajt, në krah të Lulzim Bashës, Sali Berishës, Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut. Me foto të nxjerra jashtë kontekstit, materiali e akuzon Shehaj pa prova se ka mashtruar pensionistë në Itali.

“Këto janë shpifje të paguara me burim financiar të dyshimtë, që meriton hetim nga autoritetet përkatëse”, tha Erald Kapri, një prej themeluesve të partisë “Mundësia” dhe kandidat për deputet i kësaj force.

Kapri tha se kjo është një mënyrë e vjetër e të bërit politikë, pavarësisht se përdor mjete të reja si rrjetet sociale.

“Kjo është mënyra e vjetër e të bërit politikë, ku politikanë të korruptuar nuk kanë asnjë problem të përdorin paratë që u kanë vjedhur qytetarëve shqiptarë për të ndaluar ndryshimin,” tha Kapri.

Kjo nuk është hera e parë që forca politike targetohen nga profile anonime që përdorin para për të propaganduar kundër tyre. Profile të ngjashme u përdorën për të sulmuar Lëvizjen Bashkë, ndërsa është e paqartë se kush fshihet pas tyre dhe kush e financon reklamimin.

Përfshirja financiarisht në fushatë elektorale e palëve të treta nuk është e rregulluar me ligj në Shqipëri dhe është një nga shqetësimet e ngritura prej ekspertëve të OSBE-ODIHR.

Në një intervistë të dhënë në dhjetor për Zërin e Amerikës, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran shprehu shqetësim për mungesë të rregullimit për përfshirjen në fushatë të palëve të treta, që sipas tij ndërhyjnë në jetën e brendshme politike të Shqipërisë/ BIRN