Procesi i Vetingut drejt fundit, KPK bën bilancin: 256 gjyqtarë dhe prokurorë u shkarkuan nga detyra

7 vite më parë ka nisur procesi për vlerësimin e figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, proces i cili po shkon drejt fundit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë një bilanc në lidhje me vendimet që janë marrë, në total 768, prej të cilave 349 janë konfirmime në detyrë, 256 vendime për shkarkim gjyqtarësh dhe prokurorësh nga detyra.

Ndërkohë KPK-së i kanë mbetur edhe vetëm 37 subjekte për të rivlerësuar, duke përmbyllur me sukses listën e plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

Njoftimi i plote:

7 vite nga krijimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shënon sot 7 vjetorin e konstituimit të tij dhe vitin e fundit të mandatit kushtetues.

Më 17 qershor 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nisën punën për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë këtyre 7 viteve, 12 anëtarët e Komisionit në bashkëpunim me njësinë ligjore dhe stafin administrativ kanë kryer një proces të cilin nuk e konsideruan vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe  përgjegjësi e lartë personale për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie, të pavarur e të paanshëm.

Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë, ndërsa sot, më 17 qershor 2024 numëron në total 768  vendime,  prej të cilave 349 konfirmime në detyrë, 256 vendime për shkarkim nga detyra, 110 vendime për  pushim/ndërprerje procesi, 50 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime për pezullim nga detyra.

Komisionit i kanë mbetur për të rivlerësuar vetëm 37 subjekte duke përmbyllur me sukses  listën e plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

Gjatë 7 viteve të funksionimit të tij, me mbështetjen dhe ekspertizën profesionale të pakursyer të ONM-së, Komisioni ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit. Ndërsa mandati kushtetues po i afrohet përmbylljes, në këtë datë të shënuar, KPK  gjen rastin të falenderojë partnerët ndërkombëtarë, Kuvendin, mediat dhe gjithë bashkëpunëtorët e këtij rrugëtimi që jo vetëm shërbeu për vettingun e sistemit të drejtësisë, por  edhe avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian.