Prezantohet Kryeadministratorja e re e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara

Pas prezantimit të djeshëm të Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, ministri Ervin Hoxha ka prezantuar sot Kryeadministratoren e re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).

Në krye të kësaj Agjencie është emëruar Risena Xhaja, e cila deri në gusht të këtij viti mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Financave.

Më herët, ajo ka qenë edhe në postin e drejtoreshës së Kadastrës në Durrës, si dhe zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Kadastrës shqiptare.

Njoftimi i ministrit Ervin Hoxha:

E nisëm ditën sot me prezantimin e Kryeadministratores së re të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, e cila vjen nga një përvojë e gjatë në administratë.

Vlerësova punën disamujore të z. Idriz Haxhiaj, në drejtimin e AAPSK, si Kryeadministrator i komanduar. Disa nga rezultatet e dy viteve të fundit, – me shifra që ndonjëherë kapërcejnë në dyfishim, – dëshmojnë seriozitetin e punës së kryer deri më sot.

Tashmë, me emërimin e Kryeadministratores së re kërkojmë që këtë punë të mirë, të kryer deri tani, ta ngremë në një shkallë edhe më të lartë veprimi, me një ritëm të ri e më të shpejtë.

Agjencia është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm për luftën kundër krimit, përmes miradministrimit të të ardhurave të paligjshme, si goditje e krimit të organizuar në pikën më nevralgjike, që është paraja.

Si ministër i Brendshëm e sigurova Kryeadministratoren, se për çdo problematikë të mbartur apo ato që dalin rrugës, do të ketë mbështetjen e plotë.

Ndërkohë, dua të informoj edhe publikun, se është duke u finalizuar dhe do të dërgohet për miratim nisma ligjore për rikuperimin e aseteve.

Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA) është projektuar si një njësi proaktive pranë Policisë, sipas modelit të disa vendeve evropiane. Kjo njësi, ndryshe nga AAPSK, do të përdorë inteligjencën policore për të ndjekur paranë apo prona me burim të dyshimtë.