Në Lezhë gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaroi se shqiptarët më 11 maj kanë mundësi të përfaqësohen nga njerëz të ndershëm.
Teksa prezantoi kreun e listës së Qarkut Lezhë, Nok Markajn, Shehaj u shpreh se shqiptarët nuk duhet të përfaqësohen më nga njerëz të bërë nga krimi dhe korrupsioni.
“Në Parlament të mos përfaqësoheni nga të korruptuar, individë të lidhur me krimin. Njerëz që ia kanë dalë duke përdorur shtetin dhe lidhjen me shtetin dhe pushtetin e korruptuar, por njerëz të ndershëm si Noka.
Ky është objektivi ynë për zgjedhjet e ardhshme, për 11 majin. Kjo është mundësia jonë” – u shpreh kreu i Partisë Mundësia.
Agron Shehaj u shpreh optimist se në zgjedhje është e mundur që Partia Mundësia në Lezhë të nxjerrë deputet. Kreu i listës në këtë qark është sipërmarrësi Nok Markaj.
“Ne kemi një mundësi që në më pak se një muaj ta bëjmë Nokën deputet”.
Kandidati për deputet, Nok Markaj u shpreh se Lezha ka nevojë për njerëz punëtorë dhe se Partia Mundësia ka nevojë për mbështetjen e Lezhës.
“Lezha ka nevojë për njerëz punëtorë, që ia kanë dalë me djersë dhe që njohin punën. Dhe ne jemi këtu për të dhënë mbështëtjen tonë, për të punuar për Lezhën, dhe për të bërë më të mirën për të.
Lezha ka nevojë për ne. Ne kemi nevojë për mbështëtjen tuaj.” – u shpreh kandidati i Partisë Mundësia, Nok Markaj.