Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) çdo ditë po dëshmon se është e denjë për të qenë pjesë e strukturave ndërkombëtare të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në ceremoninë e gradimit të 334 ushtarëve të rinj të FSK-së, e para e shtetit tha se këta ushtarë të rinj po bëhen pjesë e një force që çdo ditë po zhvillohet e po bëhet një ushtri moderne e profesionale, “e gatshme për t’u përballur me çdo sfidë”.
“FSK-ja po marshon fuqishëm përpara në procesin e avancimit si forcë moderne, e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar. Ushtria jonë çdo ditë e më shumë po dëshmon gatishmërinë e plotë për të përmbushur standardet më të larta të NATO-s, aty ku Kosova e ka vendin dhe e meriton vendin”, tha Osmani.
Sipas saj, FSK-ja – që është në proces të transformimit në ushtri – është një aleate e besueshme e partnerëve ndërkombëtarë dhe është garanci për paqe dhe siguri për Kosovën.
Ushtarët e rinj u janë nënshtruar trajnimeve bazike, që kanë zgjatur për nëntë javë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë mandatit katërvjeçar qeveritar, janë rekrutuar 2.315 ushtarë të rinj.
Sipas tij, në muajt në vijim, atyre do t’iu shtohen edhe 390 ushtarë, duke bërë që numri total i rekrutimeve të reja të arrijë në 2.705 ushtarë.
“Ju jeni garancia më e fuqishme që populli i Kosovës do të jetojë në paqe, integriteti territorial do të jetë i pacenueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm. Në realizim të këtij vizioni, mbështetja e Qeverisë do të jetë e padiskutueshme, sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ngritur e zhvilluar kapacitetet tona mbrojtëse”, tha ai.
Kurti tha se Qeveria e udhëhequr nga ai ka investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë eurosh, duke përmendur këtu blerjen e dronëve Bayraktar nga Turqia, sistemet kundërtanke Javelin nga Shtetet e Bashkuara, dhe duke përsëritur se Kosova shpejt do të ketë në inventar edhe helikopterët amerikanë, Black Hawk.
Kurti tha, po ashtu, se buxheti për ushtrinë është rritur gjatë katër vjetëve të fundit.
“Synimi ynë është i qartë – ndërtimi dhe rritja e një ushtrie që respekton standardet më të larta të NATO-s dhe që është pjesë aktive e arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare demokratike. Kosova nuk është një shtet që kërkon vetëm mbështetje, Kosova është një partnere që kontribuon, që investon dhe që garanton sigurinë rajonale”, tha Kurti.
Së fundi, Kosova ka iniciuar hapjen e një fabrike për prodhimin e municioneve brenda vendit, por edhe të dronëve.
Përveç industrisë së mbrojtjes, institucionet kanë ndërmarrë hapa në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Shtetet e Bashkuara, por edhe me shtete të tjera rajonale, që janë pjesë e NATO-s, sikurse Kroacia dhe Shqipëria.
Thellimi i bashkëpunimit në mbrojtje vjen në kohën kur po vazhdon procesi i transformimit të FSK-së në ushtri, proces që pritet të përmbyllet më 2028.
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se numri i pjesëtarëve të FSK-së ka kaluar 4.300 dhe se vitin e ardhshëm pritet të arrijë në mbi 5.000.
Kosova mëton që një ditë të bëhet pjesë e strukturave të aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, por ka pengesa në këtë drejtim, pasi në aleancë janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës./Rel