Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emrat e 16 ministrave të rinj të kabinetit të kryeministrit Edi Rama, duke i hapur rrugën formimit të qeverisë së re.
Dekretet tashmë do t’i kalojnë Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet që në një seancë që mund të zgjasë dy ditë, të enjten dhe të premten, të zhvillohet votëbesimi për qeverinë e re.
Pas votimit në Kuvend, kabineti i ri pritet të bëjë betimin përpara Presidentit, në përputhje me Kushtetutën.
Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa në dekretet individuale e ministres së shumëpërfolur virtuale të Inteligjencës Artificiale, “Diella”. Ajo përmendet vetëm në nenin 2 të dekretit të parë të Presidentit, ku thuhet se kryeministri Edi Rama do të ushtrojë përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e kësaj ministrie virtuale, pa përmendur një emër konkret që do ta drejtojë.
Lista e plotë e ministrave të dekretuar:
- Belinda Balluku – Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
- Albana Koçiu – Ministre e Punëve të Brendshme
- Elisa Spiropali – Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Petrit Malaj – Ministër i Financave
- Blendi Gonxhja – Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
- Sofjan Jaupaj – Ministër i Mjedisit
- Mirela Kumbaro Furxhi – Ministre e Arsimit
- Evis Sala – Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
- Delina Ibrahimaj – Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
- Besfort Lamallari – Ministër i Drejtësisë
- Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes
- Andis Salla – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
- Ervin Demo – Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
- Majlinda Dhuka – Ministre Shteti dhe Kryenegociatore
- Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
- Toni Gogu – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Qeveria “Rama 4” nis kështu rrugëtimin e saj me një përbërje të re, ndërsa mbetet për t’u parë roli konkret dhe funksionimi i paralajmëruar i ministrisë së parë virtuale në historinë e shtetit shqiptar.