Prej 4 ditësh në panik nga sulmet terroriste, Franca merr masa drastike për ata që bëjnë kërcënime të rreme

Pas disa alarmeve për bombë qeveria franceze ka marrë vendimin drastik për ata që bëjnë kërcënime të rreme.

Pallati i Versajës u detyrua sërish ditën e sotme të evakuonte vizitorët, për herë të katërt në më pak se një javë, pas një alarmi për bombë, që më pas rezultoi i rremë.Edhe aroportet dhe shkollat ​​rreth Francës kanë rënë gjithashtu “viktima” të alarmeve për bomba dhe evakuime të detyruara pas paralajmërimeve të ngjashme një ditë më parë. Edhe një institut kërkimor bërthamor mori një kërcënim të enjten.

Nuk është gjetur asnjë bombë, por autoritetet nuk mund të rrezikojnë jetën e udhëtarëve, studentëve apo punëtorëve. Megjithatë, qeveria po bëhet e paduruar, duke kërcënuar me burgim dhe gjoba të rënda për ata që bëjnë kërcënime të rreme me bomba.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha të enjten në mbrëmje se 18 persona ishin arrestuar në 48 orët e fundit.

 “Breshëria e alarmeve çorganizon shërbimet tona të sigurisë dhe padyshim e ndalon shoqërinë të funksionojë,” tha Darmanin në një intervistë për kanalin lemonde. Alarmet e rreme gjithashtu “paraqesin një rrezik të madh në rast të një problemi (të vërtetë). Ministri tha se po përdoren “mjete të mëdha” për të identifikuar “shakaxhinjtë” me numrat e telefonit dhe adresat e tyre.