Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vetëvrasjen e efektives 21 vjeçare Aldoriana Loshi, pasditen e djeshme në Tiranë. E reja i dha fund jetës me armën e shërbimit, në banesën e saj, në rrugën “Ali Demi”.
Ndërkohë është zbuluar edhe mesazhi i fundit që e reja i ka dërguar të dashurit të saj, para aktit të rendë.
“Kur të vish derën po ta lë të hapur, zoti të ruajt”, i ka shkruajtur policja të dashurit të saj, i cili është vënë në prangat e policisë, pasi akuzohet për pengim të zbardhjes së të vërtetës.
28 vjeçari dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e efektives dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me 21 vjeçaren, në telefonin e saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në banesën e 21 vjeçares. Mësohet se kanë qenë fqinjët që kanë dëgjuar të shtëna ndërsa më pas kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të hapur derën e banesës së saj, ku gjetën të pajetë efektiven e Komisariatit nr.5 në Tiranë.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën “Todi Shkurti”, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë”- thuhet në njoftimin e policisë.