Po tentonte të vidhte një makinë, kapet në flagrancë 28 vjeçari në Durrës

Një 28-vjeçar përfundoi në prangat e policisë së Durrësit pasi u kap në flagrancë në tentativë për të vjedhur një automjet.

Policia sqaroi se operacioni i koduar “Tentativa” përfundoi me arrestimin e shtetasit, Hasan Zylfa.

Një çelës fiktiv të cilin i arrestuari e përdorte për të vjedhur automjete është sekuestruar si provë materiale.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tentativa”, për të parandaluar një rast vjedhjeje.

U kap në flagrancë, gjatë tentativës për të vjedhur një automjet, arrestohet 28-vjeçari.

Ky shtetas, i dënuar më parë për të njëjtin krim.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të specialistëve për Hetimin e Krimeve të Policisë Plazh, pas njoftimit se në lagjen nr. 13, po tentohej të vidhej një automjet, është finalizuar operacioni policor i koduar “Tentativa”.

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i autorit të këtij rasti, shtetasit H. Z., 28 vjeç, banues në fshatin Rrashbull.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një çelës fiktiv, me të cilin 28-vjeçari tentonte të kryente vjedhjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.