Po të mos ishte Blendi?

Moderatori i njohur Blendi Fevziu denoncoi mbrëmjen e djeshme një skandal në Bypass-in e Vlorës, në të cilin vijojnë punimet prej 13 vitesh.

Bypassi-i i Vlorës u inaugurua në vitin 2022 nga qeveria, pavarësisht se punimet nuk kishin përfunduar 100%, por si në çdo projekt tjetër, propaganda vlen më shumë se të gjitha.

Ndërkohë, video e publikuar nga Fevziu nxori në pah se çfarë ndodh në të vërtetë me rrugët e vendit tonë, që paguhen sikur të shtrohen me flori, por punimet lënë për të dëshiruar.

Denoncimit të Blendi Fevziut iu përgjigj kompania “Gener 2” që po merret me punimet në Bypassin e Vlorës, e cila në reagimin e saj linte të kuptohej se Blendi nuk kishte zbatuar rregullat, pasi kishte i njoruar tabelat paralajmëruese, ose më keq, mund të kishte kapërcyer mbi barrierat.

Lexo edhe: Skandali me Bypass-in e Vlorës, kompania Gener 2 ia lë fajin Fevziut: Ka injoruar tabelat paralajmëruese, ose ka kapërcyer mbi barrierat

Por, në videon e tij, vetë Fevziu thotë se pyeti policët dhe ata i thanë se Bypassi-i është i hapur.

Bllokimi i Bypassit të Vlorës nuk ndodhi dje që kaloi Blendi Fevziu, por ka disa muaj, me qindra shoferë që janë përballur me këtë realitet, por nuk kanë patur një mundësi për të reaguar.

Duhej të dilte Blendi Fevziu që ky skandal të publikohej dhe qytetarët të paralajmërohen që të kenë kujdes, pasi ajo rrugë e rrezikshme është burim aksidentesh që mund të sjellin edhe humbjen e jetëve.

Por, po sikur të mos kalonte Blendi Fevziu në atë rrugë?

Atëherë, qytetarët do të vijonin të përballeshin me barrierat dhe bllokimin e saj, pa patur mundësi të ankohen, pasi askush nuk do ta bënte publik atë skandal që po ndodh në Bypassin e Vlorës.

Ndoshta, denoncime të tilla si i Blendi Fevziut duhet të bëjnë të gjithë personazhet publike që ndeshen me situata të tilla, ku cënohet siguria e qytetarëve. Kjo nuk është opozitë ndaj qeverisë, është detyrim moral ndaj shoqërisë.