Po ndërtonin shtëpi bari në Lezhë, arrestohet 62 vjeçari, në kërkim nipi i tij

Një 62 vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi u zbulua se së bashku me nipin e tij po ndërtonin një shtëpi bari.

Ndue Gjini së bashku me nipin Ardit Gjini, posedonin disa armë dhe po krijonin kushtet për të mbjellë fara kanabisi.

“Sekuestrohen 1 armë zjarri, 1 armë gjahu, municione për këto armë, 2500 fara cannabisi, një sasi cannabisi, 5 radio marrëse-dhënëse dhe pajisje të ndryshme elektrike.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale mbarëkombëtare “Territori i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në inteligjencën policore, kanë vijuar kontrollet për goditjen e veprimtarive krimianle dhe kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat:

– u arrestua në flagrancë shtetasi N. Gj., 62 vjeç, dhe u shpall në kërkim nipi i tij, shtetasi A. Gj., 31 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri dhe 1 armë gjahu, municione për këto armë, 2500 fara cannabisi, një sasi cannabisi dhe 5 radio marrëse-dhënëse, 1 mjet prerës (thikë), 2 celularë, 2500 metra kabllo elektrike dhe 34 automatë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.