Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme ka treguar takimin e ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jasharit, me 3 efektivët e marrë peng nga Serbia.
Ai thotë se të tre efektivët kanë pohuar se janë rrëmbyer nga 15 persona të armatosur kur ishin duke ngrënë drekë. Sipas tij, deklaratat e efektivëve janë të nëjta edhe pse ata janë pyetur të ndarë.
“Ambasadori Jashari sot i ka vizituar ndaras tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjti. Janë tri rrëfime ndaras të njëjta. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke ngrënë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë.
Ne jemi në të drejtën tonë dhe dëshmitë që posedojmë dokumentojnë qartë se policët ishin brenda territorit të Kosovës kur u rrëmbyen. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por rrëmbim në Kosovë. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës. Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë gjetur një kilometër larg kufirit në pjesën veri-perëndimore, 670 metra larg në veri-lindje nga kufiri me Serbinë”, tha ai.
Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të tregojnë se rrëmbimi i policëve ishte agresion i Serbisë.
Ndërkombëtarët duhet të tregojnë që ka qenë agresioni i Serbisë dhe ata policë duhet të liroheshin. Masat e marra në kufi janë masa sigurie.
Nga ana tjetër janë organizuar disa kamionë që nuk lejojnë lëvizjen e njerëzve dhe personave. Qeveria jonë nuk ka marrë masa ekonomike e tregtare në ato pika, por vetëm masa sigurie”, deklaroi ai.