Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar ashpër ministren e Bujqësisë, Frida Krifcën, teksa foli për problematikat që ka sjellë infektimi i tokave bujqësore në Myzeqe.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe u shpreh se fermerëve u janë shkaktuar shumë dëme për shkak të karkalecit të tokës, por ministria nuk ka marrë ende asnjë masë, edhe pse ai e ka ngritur këtë problem që në muajin shkurt. Ai i tha ministres se ka ende kohë që ajo të shohë veten në raport me detyrën e saj.
“E dyta që kam si shqetësim është me një fakt të rëndësishëm që ka të bëjë me infektimin e tokave bujqësore në Myzeqe. Edhe këtë vit nuk po e lejojnë bujqit që të merren me një cikël tjetër për shkak të karkalecit të tokës. E mbjell sot bimën, e ha karkaleci nesër. Kaq e rëndë është gjendja. Fola në Kuvend që në muajin shkurt që ministria përgjegjëse të merrte masa dhe sot e konfirmova se sa e parëndësishme është të jesh deputet dhe të merresh me hallet e njerëzve, sa të zhvlerësuar bëhemi secili prej nesh kur shkon atje dhe flet me njerëzit sa kohë askush nuk reflekton të dëgjojë, por vazhdon historia që kur ti ngre një problem nuk merren me hallet, por me ty. Tani ka një shprehje nga një film se çfarë duhet t’i bëhet bahçes në këtë moment, por ka ende kohë për këtë. Ka ende kohë që secili të shohë veten në raport me detyrën”, tha Braçe ndër të tjera.
Kjo nuk është hera e parë që Braçe kritikon publikisht Krifcën, pasi problematikat e ngritura prej tij nuk janë marrë asnjëherë parasysh nga ministrja, duke i lënë fermerët në mëshirë të fatit.