Nga Nicasia Picciano “Dtt-net”
Lufta e Rusisë kundër Ukrainë, ka krijuar në mënyrë të pashmangshme një presion të madh mbi ekonomitë dhe shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, duke e rrezikuar kësisoj stabilitetin e tyre. Dhe Bashkimi Evropian e ka kuptuar në kohë nevojën e ndërhyrjes së menjëhershme për të frenuar dëmet aktuale dhe për të shmangur të tjerat në të ardhmen.
Tek e fundit, siguria në këtë rajon do të thotë siguri për gjithë kontinentin. Ndaj nevoja për një investim të qëndrueshëm gjeostrategjik në një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, qëndron edhe prapa planit të ri të rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Brukseli e ka kuptuar më në fund nevojën urgjente për të përshpejtuar procesin e tyre të pranimit në union, bazuar në reformat kyçe të lidhura me BE-në. Plani në fjalë, është një rast për të rritur më tej dukshmërinë dhe ndërgjegjësimin për mbështetjen e Brukselit për rajonin, duke e forcuar angazhimin e saj me qytetarët e tij.
Zgjerimi mbetet një politikë kyçe e Bashkimit Evropian, dhe anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor është në interesin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik të vetë unionit. I vetëdijshëm për këtë, më 8 nëntor 2023 Komisioni Evropian paraqiti, së bashku me paketën e tij vjetore të zgjerimit, edhe një plan të ri të rritjes së përshpejtuar për Ballkanin Perëndimor.
Plani i Rritjes bazohet në 4 shtylla kryesore, të cilat synojnë forcimin e integrimit ekonomik të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së; nxitjen e integrimit ekonomik brenda rajonit nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal; përshpejtimin e reformave bazike; dhe rritjen e ndihmës financiare për të mbështetur reformat përmes një Lehtësuesi për Reformat dhe Rritjen ekonomike për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.
Mungesa e konvergjencës ekonomike, është një nga problemet kryesore për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht, ajo është rreth 35 për qind e nivelit mesatar të BE-së. Konvergjenca ekonomike është një element kyç për Ballkanin Perëndimor për t’iu afruar BE-së.
Prandaj, potenciali i planit është të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda 20 viteve të ardhshme. Ai bart propozimin për një instrument të ri me vlerë 6 miliardë euro (2 miliardë në grante dhe 4 miliardë në kredi) me kushtëzimin që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin paraprakisht reforma specifike socio-ekonomike dhe themelore.
Si pjesë e Planit të Rritjes, çdo partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një Agjendë Reformash bazuar në rekomandimet ekzistuese, përfshirë ato nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe Programet e Reformës Ekonomike të vendeve (ERP). Kjo Agjendë Reformash, do të konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni Evropian.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor, dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës, si stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit.
Nëse kushtet e ndihmës nuk plotësohen, Komisioni do të pezullojë ose heqë një sasi parash nga fondi i përcaktuar. Partnerët e Ballkanit Perëndimor do të kenë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet tek vendet e tjera në rajonit në vitet në vijim.
Bazuar në Planin e Rritjes të Komisionit Evropian shpallur në nëntor 2023, presidenca e Këshillit të BE-së dhe Parlamenti Evropian arritën më 4 prill një marrëveshje të përkohshme për krijimin e një Lehtësuesi për Reformat dhe Rritjen ekonomike për Ballkanin Perëndimor.
Ky Lehtësues do të jetë një element plotësues i instrumentit ekzistues për Ndihmës e Para-Anëtarësimit (IPA III), duke e rritur në mënyrë të qëndrueshme ndihmën financiare për partnerët e rajonit. Konkretisht, ai do të mbështesë partnerët në ndërmarrjen e reformave drejt rrugëtimit në BE; stimulojë konvergjencën e tyre ekonomike në bazë të axhendës ambicioze të reformave integruese; promovojë harmonizimin e tyre me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së me synim anëtarësimin e ardhshëm në union.
Marrëveshja e përkohshme duhet të miratohet më pas nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian. Në veçanti do të forcohet roli i Këshillit të BE-së sa i përket menaxhimit të mekanizmit të Lehtësuesit. Konkretisht, ai do të miratojë dhe modifikojë kalendarin e reformave, do të monitorojë përmbushjen e parakushteve për mbështetjen e BE-së si dhe vlerësojë përmbushjes e kushteve për të marrë fondet.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, Këshilli Evropian do të fokusohet në përafrimin e partnerëve me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, e ka ndërgjegjësuar sërish Brukselin mbi rëndësinë e madhe që ka rajoni i Ballkanit për stabilitetin e gjithë kontinentit.
Që nga Axhenda e Selanikut në vitin 2003 janë bërë shumë premtime dhe shumë angazhime, si nga Brukseli ashtu edhe nga rajoni, të cilat nuk janë mbajtur. Plani i Ri i Rritjes, përfaqëson një shans vendimtar si për BE-në ashtu edhe për rajonin.
Për Brukselin ai do të thotë të shoqërosh, mbështesësh dhe të përshpejtosh reformat e brendshme të nevojshme të vendeve me synimin e integrimit të tyre. Për Ballkanin Perëndimor, përbën një moment shumë jetik për ndërmarrjen e këtyre reformave, dhe për t’i kthyer shpinën joshjes nga veprimet e rrezikshme.
Sigurisht, kjo gjë është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Megjithatë, është koha jo vetëm për përpjekje, por edhe për veprime konkrete. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainë është një zile zgjimi dhe vetëdijësimi mbi faktin se sa e paqëndrueshme është paqja, dhe sa e madhe është nevoja për angazhime të palëkundura.
Thënë ndryshe, një sukses i qëndrueshëm kërkon reforma gjithëpërfshirëse. Prandaj, oferta e guximshme e BE-së për rajonin, duhet të merret me vendosmëri dhe me përpjekje të vendosura nga të dyja palët. Po ashtu, BE-ja duhet të mësojë se koherenca dhe qëndrueshmëria e politikave dhe veprimeve të saj kryesore, nuk duhet të jetë rezultat i fakteve nxitëse.
Përkundrazi, ato duhet të jenë prioritete kryesore dhe madje pa asnjë përjashtim. Qasja e saj e reagimit bazuar tek faktet është dritëshkurtër dhe mund të sjellë pasoja fatale në një periudhë afat gjatë. Ka ardhur koha që të ndryshojë kjo trajektore.
Shënim:Nicasia Picciano, doktorante mbi procesin e shtet-ndërtimin e Bashkimit Evropian në Kosovë në Universitetin e Flensburgut në Gjermani. Më herët ka punuar si hulumtuese për Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur, Prishtinë dhe për Grupin për Studime Juridike dhe Politike.