Plagosi turistin gjerman në Gjipe, Gjykata liron nga burgu drejtuesin e gomones

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën detyrim paraqitjeje për Krenar Velajn, drejtuesin e gomones, i cili pak ditë më parë plagosi një turist gjerman në Gjipe.

Turisti gjerman, u godit nga helika e mjetit lundrues ndërsa u plagos në pjesën e shpatullës dhe ka pësuar disa fraktura.

46-vjeçari u dërgua fillimisht në urgjencën e Himarës dhe më pas u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, Policia tha se Velaj po lundronte jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur ditën e diel, në vendin e quajtur Gjiri i Gjipesë, Dhërmi, Himarë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, shtetasin K. V., 27-vjeç, banues në Orikum. Ky shtetas, ditën e djeshme, duke drejtuar një mjet lundrues (gomone), ka goditur në det me pjesën e përparme të gomones, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës”, njoftoi policia ditën e hene për arrestimin e 27 vjeçarit.