Plagosi me thikë dy vëllezërit pas sherrit për motive të dobëta, shpallet në kërkim 33-vjeçari

Një 33-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia pasi akuzohet se ka plagosur me thikë dy vëllezër.

Dyshohet se shtetasi E. Ç. së bashku me të vëllanë janë konfliktuar me shtetasit K. A., 40 vjeç dhe S. A., 37 vjeç, po ashtu vëllezër, duke përfunduar me plagosjen e këtyre të fundit. Këta të fundit janë jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Ç., 46 vjeç dhe shpallën në kërkim vëllanë e tij, shtetasin E. Ç., 33 vjeç, pasi dyshohet se ditën e djeshme, në aksin rrugor “Llogara-Palasë”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasit K. A., 40 vjeç dhe S. A., 37 vjeç (vëllezër) dhe më pas shtetasi E. Ç. dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës, 2 vëllezërit, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në njoftimin e bluve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.