Pezullimi i fondeve të IPARD II për mbështetjen e fermerëve shqiptarë ishte goditja e parë që Bashkimi Europian i dha Ministrisë së Bujqësisë, pasi u konstatua korrupsion i madh në shpërndarjen e granteve të BE, ku fondet e fermerëve i merrnin miqtë e qeverisë për t’i bërë vila luksoze.
Pavarësisht se ishte një skandal i madh, ku Bashkimi Europian hidhte akuza mbi Ministrinë e Bujqësisë dhe AZHBR-në, qeveria e kaloi si të ishte diçka normale, ndërkohë që SPAK ka deklaruar se po vijojnë hetimet, por deri më tani nuk ka asnjë informacion se çfarë po ndodh me këto hetime.
Për të treguar edhe më shumë korrupsionin që është ulur këmbëkryq në këto institucione, Komisioni Europian ka pezulluar edhe zbatimin e Programit “IPARD III”, që do të thotë se mbështetja e Europës për bujqësinë shqiptare do të jetë 0, duke i lënë fermerët shqiptarë në mëshirë të fatit, pasi qeveria ka kohë që nuk mendon për ta.
“Që nga korriku 2023, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve IPARD për Shqipërinë. Aktualisht, ndërprerja ka të bëjë me shpenzimet e bëra gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2023. Njëkohësisht, Komisioni Evropian ka vënë në pritje miratimin për të gjitha masat IPARD III. Këto janë masa parandaluese të përkohshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit Europian për Zërin e Amerikës.
Hetimi nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka përfunduar, dhe Komisioni Europian ia ka paraqitur atë autoriteteve shqiptare të cilat kanë të drejtën e mospranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese.
Delegacioni Europian thotë se pret që “autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht hetimin, pasi kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve europianë”.
Por nëse hetimi kryhet siç duhet, atëherë do të dalin në pah të gjitha shkeljet, duke bërë që shkelësit e ligjit dhe ata që kanë përfituar nga ky megakorrupsion të përballen me drejtësinë.
E para që do të hetohet do të jetë ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, të cilën Rama e shkarkoi pak muaj më parë, ndërkohë që në krye të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në varësi të kryeministrisë, e cila merrej me monitorimin e këtyre fondeve, është Ilir Beqaj, një nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës.
A do të lejojë kryeministri Edi Rama që të tjerë njerëz të qeverisë së tij të merren të pandehur?