Deputeti i PS, Petro Koçi ka dalë kundër Ramës duke thënë se nësi ai do të kandidonte në listë të hapur në zgjedhjet e 11 Majit, do të shkatërronte garë.
Në një intervistë televizive, Koçi tha se ka qenë kundër listave të hapura, pasi sipas tij krijojnë tension në parti. Sipas tij, ky sistem sjell shumë deformime dhe e detyron elektoratin të gënjejë.
“Tashmë 13 drejtues të deleguar në qarqe i kanë dorëzuar listat dhe emrat te kryetari Edi Rama. Nëse Rama do jetë në listë të hapur, ai do shkatërronte garën. Rama ka shumë mundësi eksperimenti në listën e mbyllur. Deputetët pa zonë elektorale, siç jam unë, kanë më pak shanse. Ka dhe trafik influencash. Tani nuk ka më kohë më për mendime, në datën 12 dorëzohen.
Por unë kam qenë totalisht kundër listave të hapura. Do krijojë tension të jashtëzakonshëm brenda partive dhe në elektorat. Imagjinoni do i shkojnë votuesit 5 apo 6 kandidatë për votën dhe çfarë do bëjë, njërin do votojë, të tjerët do i gënjejë. Do mësohet elektorati të jetë hipokrit, të gënjejë, ndaj isha totalisht kundër. Ky është një sistem që sjell shumë deformime. Ne si parti do e kemi këtë vështirësi. Do kemi 186 përballë, duke llogaritur të hapurat me 140 dhe të mbyllurat me 46”- u shpreh ai.
Gjatë takimit me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste mëngjesin e sotëm, Rama tha se ai personalisht mund të mos jetë në listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 majit.
Ai komentoi dhe listën e hapur, ndërsa tha se edhe kjo garë duhet të zhvillohet në kushte të barabarta. Sipas tij, vendimi i tij për të qenë në lista të hapura do të krijonte kushte jo të drejta për kandidatët e tjerë, duke marrë parasysh postin që mban aktualisht.
“Me thënë të drejtën as se kam pasur dhe as se kam shumë idenë se pse unë duhet te jem në atë parlament si deputet për sa kohë e kam këtë detyrë dhe nga ana tjetër do ishte prapë një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kush do jetë në listë të hapur do jetë në një garë shumë të barabartë. Ndërkohë që vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht, se mund dhe mos të jem fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt. Kjo është pak a shumë pamja sot”, tha ai.