Pesë linja të reja hekurudhore në Evropë që nisin në 2026

Nga një tren nate skandinav te një lidhje e re me një qytet të nënvlerësuar skocez, ja pesë linja të reja hekurudhore të konfirmuara ose planifikuara për vitin 2026.

Udhëtimi me tren në Evropë pritet të marrë një hov të madh në vitin 2026. Një sondazh me 11 mijë persona, i porositur nga prodhuesi hekurudhor Hitachi Rail, zbulon se një e treta e të anketuarve presin të udhëtojnë më shumë me tren gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Në pesë vitet e ardhshme, kjo shifër rritet në 40% në nivel vendesh dhe 49% në nivel qytetesh.

Për adhuruesit e udhëtimeve me tren, lajmi është edhe më i mirë: pesë linja të reja janë në plan për të nisur funksionimin vitin e ardhshëm. Nga rikthimi i trenit të natës Paris–Berlin te një shërbim i ri ditor Pragë–Kopenhagë, këto janë pesë linjat e reja të trenave për vitin 2026.

Rikthehet linja e natës Paris–Berlin

Në fillim të këtij viti, operatori kombëtar austriak ÖBB njoftoi se trenat e natës që lidhin Parisin me Vjenën dhe Berlinin do të ndërpriteshin nga 14 dhjetori, pas tërheqjes së financimit nga qeveria franceze.

Megjithatë, kompania European Sleeper ka konfirmuar se do të marrë përsipër këtë linjë, me trenin e parë që pritet të niset më 26 mars 2026.

Shërbimi do të funksionojë tre herë në javë, me nisje nga Paris Gare du Nord të martën, të enjten dhe të dielën në mbrëmje, ndërsa kthimet nga Berlin Hauptbahnhof dhe Ostbahnhof do të jenë të hënën, të mërkurën dhe të premten.

Paris–Mynih, më shpejt dhe më shpesh

Në fund të vitit 2026 pritet të nisë edhe një shërbim i ri hekurudhor që lidh Parisin me Mynihun, duke forcuar më tej lidhjet mes Francës dhe Gjermanisë.

Linja me shpejtësi të lartë do të operohet nga Deutsche Bahn dhe SNCF. Aktualisht ekziston vetëm një tren TGV në ditë në secilin drejtim, por operatorët premtojnë shërbime më të shpejta dhe më të shpeshta. Detajet për oraret dhe çmimet ende nuk janë bërë publike.

Tren i ri Pragë–Kopenhagë me kinema për fëmijë

Deutsche Bahn, Hekurudhat Daneze dhe ato Çeke kanë bashkuar forcat për një lidhje të re direkte nga Praga në Kopenhagë, përmes Berlinit, e cila do të nisë më 1 maj 2026.

Shërbimi ditor do të funksionojë gjatë gjithë vitit dhe do të zgjasë rreth shtatë orë nga Kopenhaga në Berlin dhe rreth 11 orë nga Kopenhaga në Pragë.

Gjatë verës, një tren nate ekzistues nga Hamburgu në Kopenhagë do të zgjatet deri në Pragë. Parashikohen ndalesa në qytete kyçe si Dresden dhe Hamburg.

Trenat ComfortJet do të ofrojnë restorant në bord, Wi-Fi, hapësirë për biçikleta, vende për 555 pasagjerë, ashensorë për karroca invalidësh dhe madje edhe kinema për fëmijë.

Tren nate nga Bazeli në Malmö

Hekurudhat Federale Zvicerane kanë zbuluar planet për një tren nate që do të lidhë Bazelin me Kopenhagën dhe Malmö-n në Suedi.

Edhe pse projekti pret ende miratimin e mbështetjes financiare nga qeveria, biletat tashmë janë në shitje. Treni EuroNight do të nisë më 15 prill 2026 dhe do të funksionojë tre herë në javë në të dy drejtimet.

Ai do të përshkojë rreth 1,400 kilometra dhe do të ndalojë në disa qytete të Gjermanisë dhe Danimarkës. Shërbimi do të akomodojë rreth 350 pasagjerë në vagona fjetjeje, couchette dhe ulëse.

Nga Londra drejt një qyteti të nënvlerësuar skocez

Për udhëtarët që duan të zbulojnë destinacione më pak të njohura në Mbretërinë e Bashkuar, një linjë e re nga Londra drejt Stirling në Skoci pritet të nisë në mesin e vitit 2026.

Shërbimi i ofruar nga kompania low-cost Lumo do të lidhë stacionin London Euston me Stirling, rreth një orë në veri të Edinburgut.

Qyteti njihet për kështjellën mesjetare mbi një shkëmb vullkanik dhe Monumentin Kombëtar të Wallace, kushtuar heroit kombëtar skocez William Wallace. Treni do të ndalojë në Lockerbie, Carlisle, Preston dhe Nuneaton.