Nga Veronica Anghel & Erik Jones “Encompass Europe”
Bashkimi Evropian ka nisur një fazë të re të zgjerimit të tij. Por këtë herë, duhet të rishqyrtohet i gjithë procesi i zgjerimit, ashtu si edhe procesi i transformimit të shtetit mbi të cilin bazohet ai. Ja cilat janë 5 arsyet pse ne mendojmë se duhet të ndodhë ky transformim.
Së pari, demokracia ka të bëjë edhe me njerëzit, dhe jo vetëm me institucionet. Institucionet e Shteteve të Bashkuara nuk kanë ndryshuar gjatë 75 viteve të fundit, por demokracia amerikane po. Mënyra e vetme për ta shpjeguar këtë, është të analizojmë normat dhe vlerat e njerëzve të angazhuar në politikë.
Nëse këta njerëz nuk duan që institucionet të funksionojnë, atëherë kështu do të ndodhë. Por nga ana tjetër, kjo ngre një pyetje të sikletshme:Pse e përqendrojmë kaq shumë vëmendjen tek kriteret e zgjerimit? Në një artikull të botuar në edicionin e fundit të “Gazetës së Demokracisë”, ne analizuam në zgjerimin e fundit të BE-së, për t’u fokusuar tek ajo që po ndodhte në Hungari gjatë procesit të anëtarësimit.
Ajo që zbuluam ishin provat e shumta, se demokracia hungareze po dështonte që në fillim të viteve 2000, dhe pavarësisht kësaj, ky vend u pranua në union. Problemi është se kriteret për anëtarësim, kishin pak ose aspak të bënin me forcat që po e minonin demokracinë hungareze.
Së dyti, zgjerimi ka të bëjë me njerëzit dhe bizneset, dhe jo vetëm me shtetet kombëtare. Kur mendoni në këtë mënyrë, e kuptoni se Evropa po zgjerohet tashmë për të përfshirë miliona njerëz nga Ballkani Perëndimor. Kjo bëhet e dukshme në çdo shëtitje që mund të bëni sot në rrugët e Vjenës. Evropa është rritur shumë duke përfshirë edhe miliona ukrainas. Dhe ajo që vlen për njerëzit vlen edhe për bizneset. Shumë kompani me bazë në vendet e Ballkanit Perëndimor ose në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji po bëjnë tashmë biznes në Bashkimin Evropian.
Shumë prej tyre po rivalizojnë kompanitë në vendet e BE-së për pjesën e tregut. Çështja është:Si të garantojmë që këto kompani të operojnë sipas rregullave dhe normave evropiane? Kurdoherë që është e mundur, njerëzit që hyjnë në BE duhet të kenë gjithashtu mundësinë të kthehen (dhe të rindërtojnë) vendet e tyre të origjinës, ku mund të kontribuojnë (dhe të përfitojnë prej tij) për zhvillim dhe stabilitet politik.
Kjo do të ndodhë vetëm përmes zgjerimit me shtetet e reja anëtare, sepse puna në partneritet me ato qeveri, është çelësi për menaxhimin e migrimit dhe konkurrencës në treg. Në këtë kuptim, koncepti formal i ‘zgjerimit’, është një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së sfidave të shumta që kanë dalë nga zgjerimi real, me në qendër njeriun, diçka që ka ndodhur tashmë.
Së treti, zgjerimi ka të bëjë me politikën e sigurisë, dhe jo vetëm atë të jashtme. Këtu është e rëndësishme të kujtojmë se zgjerimi historik në Evropën Qendrore dhe Lindore, nuk ishte në fillim një projekt ambicioz. Plani fillestar fokusohej në transformimin gradual të vendeve në Evropën Qendrore dhe Lindore përmes politikave demokratike dhe tregjeve liberale.
Ai plan ishte menduar të ishte shumë i ngadaltë. Ritmi ndryshoi papritmas në vitin 1999. Dhe ai që ishte një proces i kufizuar, u bë një proces më gjithëpërfshirës ku të gjithë kandidatët e mundshëm morën perspektivën për anëtarësim. Ne e hulumtuam këtë dinamikë në një ese të vitit 2022 në “Journal of European Public Policy”.
Zbuluam se ndryshimi i ritmit, ishte një kundërpërgjigje ndaj ndryshimit në mjedisin strategjik. Këshilli Evropian donte ta përdorte zgjerimin për të stabilizuar vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në atë kohë, ashtu siç po veprohet edhe sot. Dallimi me vitet 1990, është se kërcënimi në ato vende ishte i brendshëm.
Sot kërcënimi vjen nga palë të treta si Rusia dhe Kina. Dhe është një kërcënim më sfidues, që kërkon një ndryshim të rëndësishëm në të menduarit mbi anëtarësimin. Anëtarësimi në këtë kontekst ,funksionon më shumë si anëtarësimi në një komunitet sigurie sesa një lloj klubi ekonomik.
Turqia mbeti një anëtare besnike dhe efektive e NATO-s, edhe përmes cikleve të ndryshme të demokracisë dhe diktaturës, pasi pjesëmarrja e saj cilësohet si e domosdoshme për sigurisë e aleancës së Atlantikut të Veriut. Edhe BE-ja duhet të fillojë të mendojë në këtë mënyrë. Një mendësi e tillë, është në përputhje me një qasje të përqendruar te njerëzit ndaj zgjerimit.
Kur shohim hapa prapa, synimi nuk duhet të jetë ndëshkimi i vendit kandidat, por krijimi i kushteve për të mbështetur njerëzit në përpjekjet e tyre për t’u rikthyer tek normat dhe vlerat e demokracisë.
Së katërti, zgjerimi – i kuptuar në termat e përkujdesjes për njerëzit – do ta ndryshojë mënyrën se si funksionon BE-ja, me ose pa një reformë të institucioneve formale evropiane, dhe me ose pa një zgjerim formal të anëtarësimit. Edhe këtu, ne vëmë re se zgjerimi ka ndodhur tashmë përmes lëvizjes së njerëzve dhe qasjes së kompanive që vijnë nga jashtë Bashkimit Evropian.
Ky zgjerim (apo qasje në Evropë), po e detyron BE-në t’i përshtatet rrethanave të reja. Ne kemi treguar se si funksionon kjo, si në teori ashtu edhe në praktikë. Duke u fokusuar në evolucionin e tregut të përbashkët, monedhës së përbashkët dhe hapësirës së vetme financiare, ne tregojmë sesi qasja në Bashkimin Evropian, përkon domosdoshmërisht me një ndryshim në mënyrën se si duhet të operojë BE-ja.
Zgjerimi formal dhe reforma institucionale, vazhdojnë paralelisht dhe jo domosdoshmërisht si një marrëdhënie shkak-pasojë. Në këtë kuptim, s’ka më arsye për të pritur aq gjatë reformën institucionale për zgjerimin, siç ndodhi gjatë zgjerimit në Evropën Qendrore dhe Lindore në fillim të viteve 2000.
Këtu vlen të kujtojmë, se faza përfundimtare e bisedimeve për zgjerimin u zhvillua krahas Traktatit Evropian. Rezultatet nuk ishin të rastësishme. Spanja dhe Polonia e bllokuan fillimisht marrëveshjen mbi Kushtetutën e Evropës, dhe më pas referendumet në Francë dhe Holandë e rrëzuan atë.
Por Evropa nuk u shpërbë si pasojë e atij dështimi. Mësimi që nxjerrim,është se ne duhet të presim që raundi tjetër i zgjerimit të lëvizë paralelisht me përshtatjen institucionale. Do të jetë e rrezikshme, por BE-ja është e qëndrueshme.
Së pesti, ky zgjerim do të jetë i vështirë, por mbetet ende më i mirë se sa alternativa. Debatet aktuale duhet ta përqendrojnë më shumë vëmendjen tek kjo alternativë. Në rast se Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor lihen jashtë BE-së dhe të pambrojtura nga përpjekjet e palëve të treta për destabilizimin, njerëzit në ato vende nuk do të bëhen më demokratikë.
Përkundrazi nën ndikimin e vende të huaja autoritare, ata ka të ngjarë të lëvizin në drejtimin e kundërt. Njëkohësisht, gjithnjë e më shumë nga këta njerëz do të detyrohet të kërkojë të punojnë dhe jetojnë në Bashkimin Evropian. Për të pasur sukses, gjithnjë e më shumë nga kompanitë e tyre, do të mbështeten tek qasja ne BE.
Po ashtu, këto të fundit do të jenë gjithnjë e më rezistente ndaj rregulloreve apo ndikimeve evropiane, dhe do të përballen me një ndarje midis Lindjes dhe Perëndimit. Ç’është më e keqja, në këto vende do të përkeqësoheshin kushtet e sigurisë, dhe kjo do të në nënkuptonte edhe dobësimin e sigurisë evropiane.
Evropa do të përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha gjatë rrugës, ndaj institucionet e saj duhet të përshtaten me kërkesat në rritje për menaxhimin e krizave. Evropa do të ndryshojë, por jo domosdoshmërisht për mirë. Duke e menduar këtë në terma të përqendruara tek njerëzit, dhe me një vlerësim të plotë mbi imperativin e sigurisë, zgjerimi ofron mundësinë që Bashkimi Evropian të ketë nën kontroll të ardhmen e tij.
Do të jetë një mision i vështirë, por nëse evropianët brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian punojnë për ta bërë atë një histori suksesi, BE-ja mund të shndërrohet në një model për stabilitetin dhe zhvillimin. Integrimi evropian ishte një model shembull në të kaluarën. Ai mund të jetë po i tillë edhe në të ardhmen.