Përvetësuan me letra të falsifikuara tokën me vlerë 2.7 mln euro, gjykata vendos arrest për motër e vëlla dhe u sekuestron pasurinë

Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestrimin e 13.750m2, tokë e vlerësuar me vlerën 2.7 mln euro, në fshatin Gjilek të Bashkisë Himarë.

Sipas hetimit kjo tokë ishte regjistruar pranë ASHK Vlorë me dokumente të falsifikuara. Gjithashtu gjykata ka vendosur “arrest me burg” për  E.M dhe “arrest shtëpie” për motrën e tij.

“Nga aktet e administruara gjatë hetimit, rezultoi e provuar se këta shtetas plotësojnë elementët e veprës penale “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim si dhe “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186/2, 190/2 dhe 287, paragrafi i 2 të K.Penal.
Për regjistrimin e pronës shtetasja L.M., inicioi një proçes gjyqësor administrativ pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Vlorë, ku kërkoi regjistrimin e të gjithë sipërfaqes sipas dokumentit pronësor AMTP nr.9859. Në gjykimin administrativ, nga ana e shtetasve E.M. dhe L.M., janë përdorur dokumentet e falsifikuara, Formular nr.6 dhe AMTP.
Dokumentet e falsifikuara u përdorën në disa institucione nga ana e personave nën hetim, si; Këshillin e Qarkut Vlorë; Bashkinë Himarë; në procesin gjyqësor të zhvilluar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë si dhe më pas pranë ish-ZVRPP Vlorë (sot ASHK).
Nga hetimi u provua se, mbi pronën pas regjistrimit janë kryer veprime, ndarje, transaksione/shitje të shumta, duke kaluar pjesën më të madhe nga sipërfaqja totale 13.750m2, tek persona të tretë. Në kohën e kryerjes së veprimeve të mësipërme, shtetasi E.M. ka qënë në detyrën e topografit të Bashkisë Himarë.

Po kështu, nga hetimet rezultoi e provuar se pas regjistrimit pranë ish-ZVRPP Vlorë të sipërfaqes prej 13.700 m2, mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara.
Një pjesë e kësaj prone ka mbetur në bashkëpronësi të shtetasve E.M. dhe L.M. Ndërsa nga sipërfaqja totale prej 13.750 m2, është shitur një sipërfaqe prej 7050 m2″, thuhet në njoftimin e prokurorisë.