Përse Edi Rama frikësohet nga emrat e përveçëm?

Reportazhi i RAI 3 për Shqipërinë erdhi si një rrufe në qiell të hapur për Edi Ramën, pasi media italiane hodhi dritë mbi shumë skandale që kanë ndodhur në Shqipëri, ku të përfshirë ishin njerëz të afërt të kryeministrit Rama.

Ky i fundit filloi një fushatë linçimesh kundër emisionit “Report”, duke kërkuar përballjen me ta dhe një intervistë. Pas shumë postimesh në rrjetet sociale dhe intervista në media të tjera italiane, emisioni “Report” vendosi që mos ta publikonte pjesën e dytë të reportazhit në datën e planifikuar.

Pas 1 muaji, RAI 3 vendosi që të publikonte pjesën e dytë të reportazhit për Shqipërinë, ku solli edhe një video të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili tregonte se si mafiozët dhe trafikantët takoheshin me Ramën në Kryeministri, duke nxjerrë edhe emrin e Ergys Agasit si lidhje të kryeministrit me mafian.

Në reportazh ishte edhe një intervistë me Ramën, aq shumë e kërkuar nga ky i fundit. Por, nëse kishte menduar se intervista për RAI 3 ku hidhte poshtë çdo akuzë do ta justifikonte përballë shqiptarëve, ndodhi e kundërta.

Kjo intervistë nxorri në pah më shumë se çdo herë tjetër problemin më të madh të Ramës, përballjen me emrat e përveçëm, disa prej tyre edhe pjesë e botës së krimit.

Në çdo intervistë, Rama mundohet të shmangë çdo pyetje për emrat e përveçëm, duke dashur të flasë vetëm për fenomenet që ndodhin dhe duke u munduar të justifikojë skandalet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij.

Emisioni “Report” se gjeneralit italian Fabricio Lisi, iu dhuruan 30 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës, nga trafikanti Artur Shehu. Në kohën kur ishte gjenerali kryesor i Guardia di Finanzia, Lisi përkrah Saimir Tahirit deklaronte se në Shqipëri ishin shkatërruar 99.2% e fushave me kanabis.

Gazetari italian Giorgio Mottola intervistoi Fabrizio Lisin, me këtë të fundit që i gjendur përpara dokumenteve, pranoi se lidhja mes tij dhe Artur Shehut ishte Ëngjëll Agaçi. I pyetur edhe në intervistën e fundit, Rama u mundua t’i shmangej pyetjes, duke thënë se nuk e di që Artur Shehu të jetë trafikant apo i dënuar.

Akuza e Ahmetaj se Rama i priste trafikantët dhe mafiozët në zyrën e tij u vërtetua me Luftar Hysën, i akuzuar nga Kanadaja si pastruesi i parave të kartelit meksikan “Sinaloa”.

I gjendur në vështirësi përballë pyetjes së gazetarit italian, Rama tha se kishin qenë disa të njohur që i kishin thënë se një kushëriri i tyre donte të vinte nga Meksika për ta takuar dhe për të folur me rë për investimin në kazinonë e hotelit Marina Bay.

Nëse do ta takonte rastësisht Hysën, Rama nuk do të kishte asnjë përgjegjësi, por si ka mundësi që kryeministri të mos marrë asnjë informacion se kë fut në zyrën e tij, sidomos kur ky person vjen nga Meksika posaçërisht për të.

A është vallë kaq e lehtë të takosh Ramën në zyrën e tij? Përse nuk po e takojnë dot minatorët, naftëtarët dhe të tjerë qytetarë?

Madje, i pyetur nëse do t’ja hiqte licencën për kazinonë, Rama e hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se as nuk jep dhe as nuk anulon koncesione.

Por nëse nuk jep koncesione, përse e takoi Luftar Hysën për investimin në kazino? Këtë përgjigje mund të na e japë vetëm kryeministri!