Përplasje të armatosura shpërthyen në disa pika përgjatë kufirit mes Pakistanit dhe Afganistanit të shtunën në mbrëmje, pas një sulmi ajror të Pakistanit në Kabul më herët gjatë javës. Sipas burimeve nga të dy vendet, luftimet u ndezën pasi forcat talebane afgane sulmuan postat kufitare pakistaneze.
Zyrtarë të sigurisë pakistaneze deklaruan se forcat e tyre po përgjigjeshin “me forcë të plotë” ndaj asaj që e quajtën “sulm i paprovokuar” nga ana e Afganistanit. Përplasjet me armë u raportuan në më shumë se gjashtë lokacione përgjatë kufirit 2,600 kilometra të gjatë që ndan të dy vendet.
Nga ana tjetër, forcat talebane thanë se kishin marrë kontrollin e tre postave kufitare pakistaneze, ndërsa ushtria pakistaneze pretendon se ka shkatërruar disa poste të talebanëve.
Pamje të shpërndara nga autoritetet pakistaneze tregojnë zjarr armësh dhe artilerie drejt territorit afgan, duke ndriçuar qiellin e natës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit, Enayatullah Khowarazmi, konfirmoi se sulmet ishin një kundërpërgjigje ndaj një shkeljeje të hapësirës ajrore afgane nga ana e Pakistanit. Ai tha se operacioni përfundoi rreth mesnatës sipas kohës lokale.
“Nëse pala tjetër shkel sërish hapësirën tonë ajrore, forcat tona të armatosura janë të gatshme të mbrojnë sovranitetin dhe do të japin një përgjigje të fuqishme,” deklaroi Khowarazmi.
Autoritetet pakistaneze nuk kanë konfirmuar ende nëse përplasjet kanë përfunduar.
Islamabadi e akuzon administratën talebane në Kabul për strehimin e militantëve të Talibanit Pakistani (TTP), të cilët dyshohet se kryejnë sulme ndaj Pakistanit me mbështetjen e Indisë, një pretendim që Nju Delhi e mohon kategorikisht.
Nga ana tjetër, Talebanët afganë thonë se nuk lejojnë përdorimin e territorit të tyre për sulme ndaj vendeve të tjera.
Një zyrtar pakistanez i sigurisë i tha agjencisë Reuters se sulmi ajror i javës së kaluar kishte për objektiv udhëheqësin e TTP-së në Kabul, i cili ndodhej në një automjet në momentin e sulmit. Nuk është konfirmuar nëse ai ka mbijetuar. Autoritetet pakistaneze kishin paralajmëruar më herët se “durimi i tyre kishte mbaruar”.
Ndërkohë, këtë javë, ministri i Jashtëm i administratës talebane zhvilloi një vizitë zyrtare në Indi, e para vizitë e këtij niveli që nga marrja e pushtetit nga talebanët në vitin 2021. Të dyja palët ranë dakord për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe, një zhvillim që është pritur me shqetësim nga ana e Pakistanit.
Që prej ardhjes në pushtet të talebanëve në Afganistan, Pakistan ka përjetuar një rritje të ndjeshme të sulmeve nga militantët islamistë në territorin e tij.