Forumi i Bled në Slloveni bëri bashkë gjithë liderët e rajonit. Kryeministri i Kosovës në një diskutim për situatën e tensioneve në veri të vendit është perplasur me homologen serbe, Anna Brnabiç.
Kurti ra dakord për një ulje të përshkallëzimit si dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të lira e demokratike në veri.
“Bie dakord, na duhet një ulje përshkallëzimi dhe ulja e tensioneve dhe ka 2 muaj që s’ka tensione as protesta. Me zor pres të kem zgjedhjet e parakohshme në bashkitë e veriut dhe besoj që të kemi fushatë të ndershme për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Kemi bërë shumë për pjesën e ekonomisë, në 6 muajt e parë të këtij viti, te ardhurat e buxhetit janë rritur, kjo tregon besueshmërinë ndaj organeve shtetërore.”- tha Kurti.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Anna Brnabiç, e cila shprehimisht tha se Kosova nuk mund të jetë pjesë e BE-së pasi nuk njihet nga 5 shtete.
“Së pari më duhet të them që për mua është një vend, nuk janë dy vende. Kosova e ashtuquajtura Republikë nuk njihet nga ana ndërkombëtare nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara, dyshoj se do të jetë pjesë e BE-së për aq kohë sa nuk njihet nga 5 vende. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit dhe bashkëfirmosur nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së… e vetmja gjë që Prishtina duhet të bënte është themelimi i bashkësive serbe. Kjo është e vetmja pikë që ngelet dhe Kurti thotë që kjo marrëveshje nuk ekziston për të. Bashkimi Evropian është garantuesi për implementimin e plotë. Ne jetojmë për paqe e stabilitet, është në interesin tonë të kemi paqe dhe prosperitet në rajon.”- tha Brabiç.
Lidhur me këtë deklaratë të Brnabiç, Kurti u përgjigj:
“Të mbështesësh Kosovën për BE-në…. ne kemi vënë sanksione ndaj Rusisë ndërsa Serbia jo. Nuk e distancuan veten e tyre as nga Milloshevici dhe Putini. Unë dua të normalizoj marrëdhëniet dhe mund ta bëj këtë edhe nëse do të ishte republika Çeke por me Serbinë është shumë e vështirë, ndoshta ngaqë duhet të zbatojmë këtë traktat bazë që unë dhe Vuçiç ramë dakord në Bruksel. Por normalizimi nga pikëpamja psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit midis realitetit dhe fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuoj fatkeqësisht.”- tha Kurti.