Përplasja me njerëzit e Agron Kapllanajt, SPAK: Hetuesit e BKH u sulmuan pa motiv, po kryenin veprime për një hetim

SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me incidentin që u regjistrua dje mes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe njerëzve të Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiak i Mallakastrës.

SPAK thotë se hetuesit e BKH janë sulmuar pas asnjë motiv gjatë kryerjes së detyrës në Fier ndërsa nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

SPAK thotë më tej se të gjitha veprimet në lidhje me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Fierit.

Një ditë më parë ishte policia, e cila konfirmoi ngjarjes, ku të afërm të Kapllanajt dhunuan agjentët e BKH. Ditën e sotme u arrestuar 2 nipërit e Agron Kapllanajt, Ledjan Kapllanaj dhe Klaudio  Kapllanaj si dhe Gerald Kollçaku.

Njoftimi:

Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit.

Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria  Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier.

Të  gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.

SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.

SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.