Përplasja me gazetarin grek, Rama u përgjigjet mediave fqinje: Humori im u shkëput nga konteksti për polemikë nacionaliste

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me disa shkrime të mëdiave greke, pas një përplasje me gazetarin John Defterios në panelin e samitit të Abu Dhabit.

Në një postim në rrjetin social X, Rama thotë se është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist.

Kreu i qeverisë shkruan më tej se gëzon respekt për Greqinë, kulturën, historinë e saj dhe se populli grek është “vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar”

Gjatë samitit në Abu Dabi, Rama iu drejtua gazetarit Defterios duke i thënë “mendoni se jeni pasardhës i Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni“, pasi ky i fundit kishte shqiptuar gabim emrin e kryeministrit shqiptar dhe atij malazez, Milojko Spajiç.

“Jo, Edi Rami, Edi Rama. Ju jeni grek apo jo? Prandaj na keqshqiptuat emrat. E dimë këtë sepse jemi fqinjë, kështu që ju njohim shumë mirë. Ju prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni”, tha Rama në panel.

Reagimi i Ramës në X:

Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi! Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh! Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë

U kuptuam? Shpresoj po. Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit