Një aksident i rëndë me një të vdekur është regjistruar në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, ku janë përfshirë pesë automjete.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20, ku shtetasi me inicialet H. B., 45 vjeç, është përplasur me një kamion dhe, për shkak të përplasjes së fortë, ka humbur jetën në vendngjarje.
Më pas, në aksident janë përfshirë edhe tre automjete të tjera, me drejtues shtetasit G. L., 59 vjeç dhe J. I., 34 vjeç, ndërsa në automjete ndodheshin edhe pesë pasagjerë.
Sipas Policisë, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, një tjetër shtetase, A. V., e cila dyshohet se ka qenë drejtuese e njërit prej automjeteve të përfshira në aksident, është larguar nga vendngjarja. Ajo është shoqëruar nga Policia për t’u marrë në pyetje dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje, ku po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të tij.