PËRMBLEDHJA – FOTO/ Djersë sapo filloi fjalimin, shfryrje ndaj të vetëve dhe ndryshime në kabinet, çfarë u pa dhe nuk u pa në Asamblenë e PS-së

Partia Socialiste mbajti sot Asamblenë e Përgjithshme të shumëpritur, pasi të gjithë ishin kuriozë të mësonin emrat e rinj të kabinetit qeveritar dhe ministrat që do të shkarkoheshin pasi nuk kishin përmbushur pritshmëritë.

Njëjtë si herët e tjera, kryeministri Rama u zgjat shumë në fjalën e tij, për të thënë të njëjtat gjëra, pa shumë energji, por me një fjalim të kujdesur të mbushur me propagandë, për t’i mbushur mendjen qytetarëve sesa mirë punon kjo qeveri për ta.

Që në fillim të fjalës ai filloi të djersitej, por nuk dihet nëse ishte djersë nga vapa apo nga sikleti sesi do të priteshin emrat e rinj të kabinetit qeveritar. Zgjatja e fjalës së tij i mbërtheu njerëzit para ekraneve si në kohën e “Big Brother”, ku të gjithë prisnin të mësonin emrin e banorit që do të eleminohej.

Kryeministri e filloi fjalën e tij duke folur për sezonin turistik, teksa tha se Shqipëria tanimë ka hyrë në hartën turistikë të Europës pa shpenzuar një qindarkë për reklama në media.

“Këtë vit që në pranverë nuk ka pasur javë të mos shkruhej për Shqipërinë turistike. Këtë verë shkrimet apo kronikat në mediat më të mëdha të huaja e bombarduan publikun e tyre me tone plot simpati për turizmin shqiptar. Këto qytete ishin edhe para 10 vitesh, por turizmi asokohe ishte një kockë pa mish. Në Berat nuk kishte as rrugë, në Korçë ishte vetëm një hotel. Gjirokastra ishte copë-copë”, u shpreh ai ndër të tjera.

Një pjesë të mirë të kohës ai u shfry ndaj të vetëve, të cilët sipas tij e kishin ngrënë pas shpine, si për të treguar edhe njëherë se përgjegjësia ishte individuale dhe ai nuk kishte asnjë faj për arrestimin e disa prej ish-ministrave, të kapur në afera korruptive qindra miliona euroshe.

Edhe këtë herë, ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të bëhej avokat për asnjë nga këta zyrtarë që kanë përfituar në kurriz të popullit, ndërsa shtoi se inkurajon SPAK dhe fton SHISH t’i bashkohet hetimeve për zyrtarët, në mënyrë që të arrestohen të gjithë ata që shkelin ligjin.

“Nuk zbrapsem përse dikujt që i besoj një detyrë dhe e mbështes pa kursim në punën e përbashkët, i merr mendjen pushteti e paraja dhe tradhton jo thjesht besimin tim e tuajin, por vetë flamurin. Bashkë me flamurin e të gjithë socialistëve shqiptarë.  Rama të lëshon, Rama s’të mbron , pasi njëri e ka përdorur flamurin e PS si maskë për të vjedhur ne të tjerët ta përdorim si letër higjienike për t’ja fshirë bajgat e fytyrës me letër higjienike. Jo, jo dhe jo. Drejtësia në Shqipëri duhet të ketë pavarësinë që i duhet për të ndëshkuar çdolloj këlyshi të atij sojit të vjetër që e ka mbajtur këtë vend në këtë gjendje. Krimet dhe marifetet e dikujt të veshur me atë pushtet nuk janë ndëshkuar dot, kështu që unë jo që s’kam asnjë ndjenjë tjetër përveç neverisë. Kushdo që më ka ngrënë mua pas shpine, që ka ngrënë pas shpine një popull të tërë që na ka dhënë votën, jo që nuk më shkon mendja të mbaj baltën e tyre”, u shpreh ai mes të tjerash.

Edhe pse inceneratorët dhe koncesioni i sterilizimit kanë dalë hapur si afera korruptive, Rama nuk ngurroi sërish t’i mbronte dhe t’i cilësonte si vepra të mira të qeverisë së tij, teksa shtoi se SPAK ka nxjerrë vetëm bishtat e neveritshëm të abuzimeve.

“P.sh. për impiantet e mbetjeve (inceneratorët), apo sterilizimin, SPAK-u po nxjerr bishtat e neveritshëm të abuzimeve të njërit apo tjetrit. Ashtu ndodh edhe me organet e drejtësisë. Punojmë për dhënien ne drejtësisë së shqiptarëve që  e presin prej më shumë se 100 vitesh. Mes gjithë atij llumi kam për detyrë ta pastroj. Patjetër që kjo pjesë s’mund ta na lejë shije të mirë. Është bërë ndërhyrje kirurgjikale për të shkulur tumoret e korrupsionit nga politika”, u shpreh kryeministri.

Një mesazh e kishte edhe për Fatos Nanon, liderin historik të së majtës, i cili qëndron prej ditësh i shtruar në spital. Teksa i uroi shërim të shpejtë, kryeministri nuk harroi të sulmonte edhe Berishën, të cilin e cilësoi si “një prej pengmarrësve më të paskrupujt të drejtësisë”.

“Shpresoj që ta rifitojë lirinë fizike dhe shpirtërore dhe të dalë me shëndet, me humor dhe jetë të gjatë nga burgu i terapisë. Siç doli 20 vite më parë nga burgu politik ku e futi një prej pengmarrësve më të paskrupujt të drejtësisë”, deklaroi Rama.

Në fund do të vinte edhe pjesa më interesante e kësaj Asambleje, ku pjesa më e madhe ishin lodhur nga fjalimi i stërzgjatur i kryeministrit, por të detyruar që të qëndronin deri në fund. Rama njoftoi ndryshimet në kabinetin qeveritar. Disa prej ministreve e prisnin, por e papritur ishte për Evis Kushin, që u largua nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që u surprizua edhe Anila Denaj kur Rama përmendi emrin e saj. Madje, ajo pyeti një nga personat që kishte afër se në cilën ministri e kishte emëruar Rama.

Pjesëmarrës në këtë Asmable ishin edhe Gramoz Ruçi, i tërhequr nga politika pak vite më parë dhe Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës i shkarkuar nga Rama, si dhe shumë figura të tjera që kanë shërbyer në PS.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar:

Ministria e Financave:  Ervin Mete zëvendëson Delina Ibrahimajn

Ministria e Jashtme:   Igli Hasani zëvendëson Olta Xhaçkën

Ministria e Arsimit:  Ogerta Manastirliu zëvendëson Evis Kushin

Ministria e Bujqësisë: Anila Denaj zëvendëson Frida Krifcën

Ministria e Shëndetësisë:  Albana Koçiu zëvendëson Ogerta Manastirliun

Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen: Delina Ibrahimaj zëvendëson Edona Bilalin

Ministër për Pushtetin Vendor: Arbian Mazniku

Ndryshimet në Sekretariate:

Sekretar i Përgjithshëm: Blendi Klosi

Sekretar Organizativ: Ardian Cela

Sekretar në Burimet Njerëzore: Eduart Ndreca

Sekretar Digjital dhe i Rinisë, Etjen Xhafa,

Sekretare e Gruas: Evis Kushi

Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë: Romina Kuko

Sekretar i Çështjeve Zgjedhore: Eridian Salianji

Sekretar i Programit: Milva Ikonomi