Ka përfunduar pas më shumë se 3 orësh dëshmia me dyer të mbyllura e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në komisionin hetimor për TIMS.
Ndërkohë nuk kanë munguar as debatet mes kryetarit të komisionit Ervin Salianji dhe nënkryetarit Toni Gogu.
Salianji kërkoi që mbledhjet të zhvillohen me dyer të hapura dhe gjithçka të jetë transparente. Ndërkohë Gogu kërkoi që mbledhja të jetë e mbyllur, ku radhën për të dëshmuar e ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku. Ky i fundit përmes një shkrese kerkon që të dëshmojë me dyer të mbylluara.
“Dëshmia ime ka sekrete hetimore”, tha Rrumbullaku para anëtarëve të këtij komisioni.
“Kemi votuar me shumicë që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura. Tani se ka frikë PS për drejtuesit e institucioneve. Kjo është e paligjshme”, tha mes të tjerash Salianji.
Pas Rrumbullakut, pritet të dëshmojë edhe Ervin muça, ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, i cili akuzohet se ka vjedhur të dhënat në sistemin TIMS, rreth një vit më parë.