Shpenzime të jashtëzakonshme dhe në miliona dollarë kanë paguar politikanët shqiptarë për lobim të Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë 2 dekadave të fundit. Pothuaj në të gjitha rastet, nga kontratat e publikuara nga autoritetet amerikane, ka dyshime të forta për pagesa me para të pista nga krerët politikë shqiptarë.
Referuar të dhënave të nxjerra nga Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, janë të shumta kompanitë lobuese amerikane që kanë si klient politikanë shqiptarë që nuk janë kursyer.
Kontrata e mëdha nisin kryesisht pas vitit 2005 dhe kulmi arriti në vitet 2009 dhe 2010, në kohë fushate elektorale. Të dhënat tregojnë se në vitin 2009 janë paguar afërisht 2.4 milionë dollarë nga qeveria shqiptare dhe partitë politike për lobim bë SHBA.
Por disa prej rasteve që kanë pasur bujë dhe kanë shkuar deri në ndjekje penale përfshijnë politikanët më të lartë shqiptarë.
Foto me Obamën e Edi Ramës

Një shqiptaro-amerikan nga Nju Xhersi, Bilal Shehu, i cili ishte vetëm një shofer, u denua me disa vite burg. Arsyeja ishte se ai futi në një aktivitet elektoral Edi Ramën, ish lider opozitë në atë kohë në 2012, të bënte një foto me Presidentin Amerikan, Barack Obama.
Sipas Reuters, ai pranoi fajin duke deklaruar se në shtator 2012, ai mori një transfertë bankare prej 80 mijë dollarësh “nga një burim i huaj” me dijeni të plotë se këto para duhej të përdoreshin për të paguar pjesëmarrjen në një aktivitet për mbledhje fondesh për fushatën e Obamës.
Ndonëse u pranua se nga ky aktivitet i paligjshëm përfitoi Edi Rama, nuk u hap një çështje në Shqipëri se kush ishte burimi i 80 mijë dollarëve që shkuan për foton me Obamën.
Pavarësisht kësaj historie jo të këndshme për Edi Ramën, Partia Socialiste në pushtet nuk e ndali aktivitetin e saj lobues në SHBA. Vetëm në vitin 2017, PS pagoi 240 mijë dollarë për kompaninë lobuese Ballard Partners.
Foto me Trump e Lulzim Bashës

Në kulmin e fushatës së zgjedhjeve në 2017, kreu i opozitës Lulzim Basha udhëtoi në SHA dhe nxorri një foto me Presidentin amerikan Donald Trump.
Kjo foto nuk shërbeu aspak sepse Basha mori rezultatin më të ulët ndonjëherë për PD-në në zgjedhje. Por më pas, kjo foto pati telashe të mëdha për opozitën, jo vetëm për çmimin e kripur prej 675 mijë dollarë, por për shkak se transfera e parave u bë nga një kompani me lidhje ruse.
Pagesat për kompaninë e lobimit për lobuesin Nick Muzin u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guackë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”.
Prokuroria e Tiranës hapi një çështje për origjinën e këtyre parave por hetimi u mbyll pa dhenë një përgjigje se kush financoi realisht për atë foto.
Edhe Ilir Meta në SHBA

Lëvizja Socialiste për Integrim ka harxhuar qindra mijëra dollarë për lobrim në SHBA dhe aktualisht SPAK ka hapur një çështje ndaj financimit të këtyre lobimeve. Vetëm në vitin 2016, kjo parti ka shpenzuar mbi 300 mijë dollarë për lobim.
Në të dhënat zyrtare amerika del se për lobim kanë paguar edhe ish zyrtarë të lartë shqiptarë të dënuar nga drejtësia shqiptare.
Rasti McGonigal

I pyetur nga gjykatësja e çështjes Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi dje fajin në gjykatë, por ende nuk e dimë se si do të shkojnë hetimet ndaj tij. Tek kjo çështje, nuk është vetëm pjesa ne 225 mijë dollarë, por edhe favore të tjera, nga licensa për naftë, tek kontrata konsulence për miqtë e McGonigal në nga Qeveria Shqiptare.
Konkretisht, përmes një firmë konsulente, pasardhësi dhe miku i McGonigal, Lou Bladel, mori një kontratë të majme nga qeveria shqiptare në maj të vitit 2018 prej 375 mijë dollar. Vetëm disa muaj pas takimit me Ramën, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje me “Ernst&Young” për të luftuar krimin dhe evazionin fiskal. Lou Bladel erdhi të punonte në Shqipëri dhe u emërua nga kryeministri Rama si shefi i strukturës së posaçme, të ngritur pranë qeverisë.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla shpenzoi rreth 10 mijë dollarë për lobim, por kjo nuk e ndihmoi. Ai u dënua dhe u largua në Itali ku kërkoi azil politik. Gjithashtu, edhe ish ministri i Brendshëm i dënuar, Saimir Tahiri shpenzoi 20 mijë dollarë për lobim në SHBA.