Duhej të ishte festë dhe ashtu ndodhi! Aventura e Kombëtares shqiptare në EURO 2024 në Gjermani ishte një nga më të bukurat, shumë më emocionuese edhe se ajo e vitit 2016, kur merrnim pjesë për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm.
Trajneri Sylvinho u prit me pesimizëm në fillim, pasi ishte pa shumë eksperiencë si drejtues, pavarësisht se karrierën si futbollist e ka të mbushur me suksese. Por falë qetësisë dhe punës së palodhur arriti të formonte një grup lojtarësh që do të shkëlqenin.
Pas një fushate kualifikuesesh të shkëlqyera, që i mbyllëm në vendin e parë duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë, shpresat për të kaluar të paktën grupin në Europian u rritën ndjeshëm, duke parë edhe ekipin që trajneri Sylvinho kishte në dispozicion.
Shpresat u venitën kur goglat e shortit na vendosën përballë kundërshtarë të një niveli tjetër. Spanja, Italia dhe Kroacia, së bashku me Shqipërinë, do të formonin grupin e vdekjes, ku Kombëtarja jonë shihej si një “kafshatë” e lehtë, por që rezultoi ndryshe.
Lista e futbollistëve në EURO 2024
Këtu fillojnë edhe komentet e para të mbi 1 milionë trajnerëve shqiptare. Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi ishin dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares, me këtë të fundit që udhëhoqi sulmin e ekipit tonë gjatë gjithë ndeshjeve eleminatore. Por për çudi, asnjë prej të dyve nuk u ftua të merrte pjesë në Europian, ashtu si edhe disa lojtarë të tjerë.
Kritikat mbi trajnerin Sylvinho ishin të shumta, si nga tifozët e Kombëtares, edhe nga analistët dhe gazetarët. Këta të fundit, e ngrinin zërin edhe më shumë, për shkak edhe të miqësive me futbollistët që nuk u ftuan, duke akuzuar Sylvinhon se kishte gabuar.
Ndeshjet në Europian
E nisëm Europianin me një rekord për golin më të shpejtë në histori, pasi Nedim Bajrami shënoi pas vetëm 23 sekondash lojë ndaj Italisë, por nuk arritën që në fund të sfidës të merrnin pikë, pasi “axurrët” arritën të na e kthejnë rezultatin brenda 15 minutave të para të ndeshjes.
Pas 90 minutave, në Shqipëri filluan edhe komentet e analistëve të studiove televizive, se Sylvinho duhet të kishte futur këtë apo atë, të qëndronte 90 minuta në sulm apo të ndryshonte skemë. Pjesë e këtyre paneleve ishin edhe “VIP-a” që nuk kanë asnjë ide mbi futbollin, por sërish jepnin mendimet e tyre pa u shqetësuar se çfarë ishin duke thënë.
Ndeshja ndaj Kroacisë ishte një nga më të mirat që Kombëtarja zhvilloi, por për fatin e keq nuk mundëm të merrnim më shumë se 1 pikë. Edhe këtë herë, pas ndeshjes filluan trajnerët e rrjeteve sociale dhe ata të studiove televizive që të kritikonin trajnerin se u tërhoq shumë mbrapa, a thua se jemi Spanja apo Franca që të rrimë 90 minuta duke mbajtur topin në gjysmëfushën kundërshtare.
Me Spanjën shpresuam se do të arrinim të merrnin një rezultat pozitiv, për faktin se spanjollët luanin me ekipin e dytë, por edhe se ishin të pa interesuar për rezultatin. Në fund, pavarësisht se arritëm të bënim një ndeshje të mirë, dolëm pa pikë dhe i dhamë fund aventurës tonë europiane.
Europiani për ne mbaroi, por me kokën lart! Shqipëria që në letër ishte dukur e vogël, tregoi se ishte po aq e madhe sa kundërshtarët e saj, duke fituar respektin e gjithë botës për atë që dha në fushë dhe jashtë saj.
Ndoshta mund të bënte më mirë, ndoshta mund të ketë ndonjë peng të vogël për mosaktivizimin më shumë të ndonjë futbollisti, por trajneri Sylvinho ua mbylli gojën të gjithëve. Asnjë analist apo gazetar nuk mund të thotë se Sylvinho gaboi me listën, me formacionet që përdori apo me zëvendësimet.
Askush më mirë se trajneri nuk e di gjendjen e ekipit të tij dhe skemën me të cilën duhet të përballemi me kundërshtarët. “Gojët e liga” që kërkojnë të hedhin baltë mbi këtë grup fantastik futbollistësh duhet të mbyllen, për të lejuar ekipin dhe trajnerin të përgatiten që të na japin një kënaqësi edhe më të madhe, pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror.
Uragani kuqezi në rrugët e Gjermanisë, fitoi qytetaria dhe shqiptaria
Që kemi tifozërinë më të mirë në botë e kishim ditur, por këtë herë tifozëria shqiptare ka qenë e një niveli tjetër. Qindra mijëra tifozë në rrugët e qyteteve gjermane, pa asnjë incident, por vetëm me qytetari kudo që ishin.
Shqiptarët fituan respektin e të gjithëve, duke e kthyer europianin në një festë të vërtetë dhe duke bërë krenarë të gjithë. Ngjyrat kuqezi pushtuan çdo stadium ku ne luajtëm. Askush nuk do ta kishte menduar se në Dortmund do të ishin 50 mijë tifozë shqiptarë në stadium, që e kthyen “murin e verdhë” në “murin kuqezi”.
Me këngë e valle, me simbolet kombëtare që na bëjnë krenarë dhe me përqafime vëllazërore të shqiptarëve të ardhur nga çdo vend i botës, mori fund edhe kjo aventurë europiane për ne, të cilën mund ta themi me plot gojë, e kemi fituar!