Për Albana Koçiun, cigarja është më e rrezikshme se kanceri

Albana Koçiu kishte “mësuar” të injoronte denoncimet e shpeshta për mungesën e ilaçeve dhe shërbimeve në Spitalin Onkologjik, ku pacientët të cilët po luftonin për jetën ishin të detyruar të kërkonin ndihmë dhe shpresë kudo, përveçse nga ministria që kishte nën përgjegjësi trajtimin e shëndetit të tyre.

Por, kur i erdhi denoncimi për një cigare të pirë në ambient të mbyllur nga zv.ministri i Brendshëm, Koçiu reagoi shumë më shpejt sesa mjekët e Onkologjikut. Një foto e thjeshtë, ku ky i fundit shihej duke pirë një cigare në një ambient të mbyllur, u bë shkak për një veprim të menjëhershëm, shkarkimin e tij.

Pra, për Koçiun, cigaret janë më të rrezikshme se kanceri, kurse jeta e pacientëve të Onkologjikut ka qenë gjithmonë një çështje më e vogël për t’u trajtuar. Që nga koha kur ajo ishte ministre e Shëndetësisë, problemet me mungesën e ilaçeve në spitalet onkologjike janë përhapur si një “kancer” që ka lënë pasoja të rënda për jetën e pacientëve.

Kjo është ironia më e madhe, një ministre që nuk i ka parë kurrë denoncimet e qytetarëve për sistemin e shëndetësisë, por që ka reaguar menjëherë për një çështje që mund të ketë pasur më shumë rëndësi për imazhin e saj sesa për jetën e qytetarëve.

E si të mos mjaftoi që lajmi u publikua në çdo media, duhej edhe një reagim nga vetë Koçiu për këtë çështje, si për të thënë me mburrje të madhe se nuk fal asnjë shkelje ligji.

Madje, në postimin e saj tregon se gjeti kohën edhe t’i kthente përgjigje shqiptarit që e denoncoi zv.ministrin, por në vitet si Ministre e Shëndetësisë, nuk gjeti kurrë kohë t’u jepte zgjidhje problemeve të pacientëve me kancer.

Çfarë shkruan Albana Koçiu në postimin e saj:

Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendës ministrit.

Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i brendshëm tymoste cigare në restorant.

Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra.

Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet , por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si ministria e punëve të brendshme.

Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.

I siguroj të gjithë qytetarët që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë po me qëndrimet parimore që ata me plot të drejtë presin prej nesh.